Dhimbja për Parisin dhe ngjarjet të tjera duhet përballuar së bashku

Lëvizja Vetëvendosja me anë të një reagimi ka dënuar sulmet terroriste në Paris. VV ka thënë se aktet e tilla janë krime kundër njerëzimit dhe si të tilla duhet luftuar.

Lajme

14/11/2015 14:05

Po ashtu, ky subjekt politik ka lavdëruar solidaritetin e qytetarëve të Parisit të treguar mbrëmë për ata që patën nevojë për ndihmë, duke vlerësuar se ky akt është një frymëzim dhe shpresë që nuk e lehtëson dhimbjen, por e bën më dinjitoze atë.

VV, ka vlerësuar se dhimbja për Parisin dhe Beirutin dhe shumë ngjarje të ngjashme duhet përballuar së bashku politikisht, institucionalisht dhe njerëzisht.

Reagimi i plotë i VV-së:

Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon sulmin terrorist ndaj qytetarëve të Francës. Aktet terroriste ku vriten njerëz të pafajshëm janë krime kundër njerëzimit, dhe si të tilla duhen luftuar e dënuar.

Njëkohësisht aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! bashkohen në dhimbjen njerëzore për viktimat e sulmeve terroriste në Paris. Dëshirojmë t’i bashkohemi ngushëllimeve, të bindur se Franca do ta kapërcejë kryelartë edhe këtë dhimbje.

Qytetari i Parisit, i cili i ka mësuar botës se ç’është Republika, edhe dje na i dha një mësim të vyer. Gjatë orëve të tmerrit, qytetarët i kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për të strehuar ata që ishin të traumatizuar, fizikisht a shpirtërisht prej sulmeve. Solidariteti i tyre është një frymëzim dhe shpresë që nuk e lehtëson dhimbjen, por e bën më dinjitoze atë.

Dhimbja për Parisin, ashtu si dhimbja për Beirutin, e për shumë ngjarje të tjera që kanë paraprirë, duhet përballuar së bashku, politikisht, institucionalisht, por mbi të gjitha së bashku njerëzisht.

Ju lutem të pranoni ngushëllimet tona.