Detyrat kryesore të Qeverisë së Kosovës – Lajmi.net
Detyrat kryesore të Qeverisë së Kosovës
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinion 11:20, 29 June 2017
 Janë pesë tema që meritojnë të klasifikohen si sprova të veçanta për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Mungesa e vendimmarrjes së Qeverisë së kaluar të koalicionit të madh, PDK, LDK, me Isa Mustafën si Kryeministër, në temat madhore me interes për qytetarët e Kosovës, për SHBA-në dhe BE-në, ishte argumenti final për shkurtimin e mandatit të saj, dhe për kërkimin e rrugëdaljes përmes organizimit të zgjedhjeve të reja parlamentare, me 11 qershor.

Zgjedhjet u mbajtën mirë, rezultatet u pranuan prej të gjithëve, dhe gjithçka pritet të jetë në rregull sa i përket Certifikimit të rezultatit të tyre.

Kuvendi i Kosovës do të konstituohet gjithsesi gjatë muajit korrik. Natyrisht, në ditët e ardhshme do të shtohen përpjekjet për ta krijuar shumicën e domosdoshme parlamentare  (minimumi është 61 deputetë), për ta votuar Qeverinë e re të Kosovës. Përvoja e verës së vitit 2014, por edhe afërsia e kohës kur do të mbahen zgjedhjet e reja lokale në vend  (22 tetori), imponon një dinamikë të shpejtë të bërjes së Kosovës me institucione qendrore.

Megjithatë, bazuar së paku në prononcimet, deklaratat dhe zotimet gjatë fushatës parazgjedhore të pretendetëve për të qenë në krye të Qeverisë së Kosovës (ndërsa kandidatë të tjerë për të udhëhequr Qeverinë e Kosovës tash e tutje nuk ka), për qytetarët e rëndomtë të këtij vendi, nuk është shumë e qartë se si do të adresohen ato temat madhore të cilat nuk arritën të marrin trajtën e vendimeve të duhura nga Qeveria e kaluar.

Objektivisht, janë pesë tema që meritojnë të klasifikohen si sprova të veçanta për Qeverinë e ardhshme të Kosovës.

Ato janë: Marrëveshja për vijëzimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi; vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel; transformimi i FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës; menaxhimi i situatës në Kosovë pasiqë të nisë të funksionojë Gjykata Speciale në Hagë dhe ndërmarrja e veprimeve të duhura në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit  (Sundimi i Ligjit).

S’do mend që çështja e zhvillimit ekonomik, uljes së papunësisë, mirëqenies sociale, do të jetë prioritet i akëcilës Qeveri të Kosovës.

Në atë pesëshin e temave madhore të vendit, vetëm ajo që ka të bëjë me krijimin e Ushtrisë së Kosovës duket që ka marrë udhën e duhur, sepse dihet që janë dy mekanizma legal për ta mbërritë këtë qëllim  (me Amandamentimin e Kushtetuës, ose me ndryshimin e Ligjit të FSK-së), dhe poashtu, është lehtë e parashikueshme që të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, si ata që përfaqësojnë Qeverinë, ashtu edhe ata të opozitës, kur të vie dita do të votojnë në favor të Ushtrisë. Mbetet për tu bërë puna e duhur në muajtë e ardhshëm, për të mbërri në epilogun e pritshëm dhe të arritshëm të këtij procesi.

Por, në katër temat e tjera që u përmendën më parë, nuk ka shumë qartësi se si do të punohet tash e tutje nga Qeveria e re e Kosovës, në adresimin dhe zgjidhjen e tyre.

Në fakt, askush as që është marrë me temën e ruajtjes së stabilitetit të Kosovës kur të vie koha e përballjes së parë me Gjykatën Speciale. Poashtu, pos formulave shumë të përgjithësuara, gjithsesi ‘politikisht korekte’ në temën e Sundimit të ligjit, nuk mund të thuhet që ka shpresa reale që do të ndryshojë shumëçka në këtë çështje.

Megjithatë, dy temat që kanë përcjellë vazhdueshëm politikën kosovare në tri vitet e fundit, ajo e Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, dhe tjetra, se si duhet të vazhdojë dialogu i Brukselit, duket që do të mbeten sfidë e madhe për Qeverinë e re të Kosovës.

Në rastin e Marrëveshjes kufitare me Malin e Zi, dihet që vendimmarrja nënkupton një përkrahje prej 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ndërsa kur bëhet fjalë për bisedimet e Brukselit, s’do mend që kërkohet një dinamikë e re dhe finalizimi i këtij dialogu me një Marrëveshje legale dhe politike gjithpërfshirëse.

Në te dy temat pra, duhet gjetë një përkrahje sa më të gjërë të mundshme që tejkalon ndarjet e rëndomta në mes të Qeverisë dhe opozitës parlamentare, gjë që nuk shihet që do të ndodhë në muajtë vijues, kur do të kemi Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës.

Sidomos kur bëhet fjalë për Marrëveshjen me Malin e Zi, Ratifikimi i të cilës është kusht i BE-së për të siguruar Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nuk është fare e qartë se çka do të ndodhë me te.

Duket që qytetarët e Kosovës do të presin tutje për të udhëtuar pa viza në Evropë./Lajmi.net/

Fotolajm

‘’Në makinë, ka njerëz që nuk do të takohen kurrë më!’’
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play 8 Ball Pool
  • Play iStunt 2
  • Play Bow Master
  • Play Turbo Racing 3