Deti i futur në “gardh”, në dijeni çdo organ përgjegjës

Forma të tjera të peshkimi të paligjshëm, që Top Story dokumentoi dhe që në pamje të parë nuk bëjnë asnjë përshtypje, pasi jemi mësuar t’i shohim çdo ditë, është peshkimi me varka artizanale, të cilat hedhin rrjeta përgjatë bregut.

Lajme

10/10/2018 23:24

Blendi Laci dhe Jeton Kalaja tregojnë për Top Story se cilët nga llojet e peshkimit janë më të përhapura.

“Më i përhapuri dhe më masiv-i është ajo më e thjeshta, është peshkimi me rrjeta afër bregut, që për fat të keq ka shtrirjen më të madhe në të gjithë bregdetin”, tha Blendi Laci , Lëvizja “Mbrojtësi i detit”.

“Në moment kur futesh në breg, mjafton të bësh 200 metra në drejtim të thellësisë, dhe mund të shikosh pa frikë, një, dy ose tre rreshta me rrjeta”, thotë Jeton Kalaja.

Sot në Shqipëri janë më mijëra varka të vogla që çdo ditë dalin dhe mbushin bregun e detit me rrjeta. Për këtë është në dijeni dhe Ministria e Bujqësisë.

“Ne na rezulton se janë rreth 500 varka të vogla që gjuajnë gjatë gjithë bregdetit. Me leje dhe pa leje”, tha zv. Ministri i Bujqësisë

Vështirë se mund të dalësh në një plazh dhe mos shohësh varka të tilla.

Ligjërisht një gjueti e tillë lejohet vetëm në distancë jo më të vogël se 300 m nga bregu. Por ajo çka praktikohet në terren është tjetër gjë, pasi rrjetat i vijnë bregut zig-zag duke filluar që nga rëra e plazhit.

Një peshkim i tillë i pamonitoruar dhe i pakontrolluar në bregdet, vjen si pasojë e numrit të inspektorëve dhe mjeteve në dispozicion.

Peshkimi artizanal në bregun e detit është lënë sot jashtë çdo kontrolli. Gjithkush që ka shtëpinë afër me detin, apo ka një restorant në breg, mund të blejë një rrjetë dhe ti vendosi detit gardhin e tij personal.

Por bregu i detit nuk është futur në gardh vetëm nga rrjetat. Aty gjejmë edhe struktura fikse që quhen stavnikë. Janë gardhe në det për ti bërë pritë peshqve dhe për ta drejtuar lëvizjen e tyre në disa kosha të vegjël prej nga ku nuk dalin dot më.

Bregu është plot me labirinte të tilla.

Struktura fikse gjenden edhe ne grykat e lumenjve në të cilat çdo lloj peshkimi është i ndaluar. Por pavarësisht ligjit, sot grykat e lumenjve janë vendet më të preferuara të peshkimit në shumë forma të tij.