DETAJET E OPERACIONIT/ Si u qëllua nga RENEA vrasësi i kreut të FNSH-së

Ka zgjatur plot 12 orë operacioni për kapjen e shumë të kërkuarit Ruzhdi Arishta, 56 vjeç, i cili vrau ditën e shtumë kreun e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, si dhe plagosi më parë fqinjin për konfliktin për gardhin e banesës.

Lajme

04/10/2015 09:23

Ishte një operacion i vështirë dhe plot rreziqe, ai i RENEA-s dhe FNSH-së, për kapjen e vrasësit të Simon Gjetës, komandantit të FNSH-së Shkodër.

Por si u organizua operacioni dhe si u vra autori i vrasjes që tronditi vendin. Gjithçka nisi në orën 19:00, kur shtetasi Ruzhdi Arishta, pas një konflikti me fqinjin e tij 21-vjeçar, Beasar Sherbelën, e qëlloi këtë të fundit me plumb në kraharor në fshatin Oblikë të Shkodrës.

Pas krimit, Ruzhdi Arishta, për të cilin thuhet se vuante nga çrregullime mendore, u largua nga vendi i ngjarjes dhe u shpall menjëherë në kërkim.

Të parët që ranë në kontakt me të ishin trupat e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Rreth orës 19:34, FNSH-ja arriti që ta rrethonte Arishtën brenda në banesën e tij njëkatëshe, e cila ndodhet në aksin Shkodër-Muriqan.

Efektivët i bënë thirrje Arishtës që të dorëzohej, por ky refuzonte. I fshehur në një nga dhomat e banesës, Arishta ishte i armatosur dhe gati të qëllonte mbi policinë.

Dhe kështu ndodhi. Komandanti i FNSH-së, Simon Gjeta, baba i dy fëmijëve, iu afrua portës së banesës së Arishtës dhe pasi e shpërtheu atë për të hyrë brenda, u qëllua me breshëri automatiku.

FNSHPjesëtarët e tjerë të FNSH-së arritën ta tërhiqnin komandantin e tyre, ende të gjallë nga vendngjarja, por fatkeqësisht ai humbi jetën në spital.

FNSH-ja e ka të pamundur të veprojë e vetme dhe thërret përforcime. Në orën 20:40, mbërritën përforcimet e para, ndërsa nga Tirana nisen autoblindat e RENEA-s.

Autorit i bëhet thirrje disa herë që të dalë nga banesa, por ai nuk pranon, madje hap zjarr ndaj oficerëve të Policisë.

Rreth orës 21:00 mbërrin në vendngjarje edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako, i cili ndjek nga afër operacionin për kapjen e autorit.

Në orën 21:30 , autori Ruzhdi Arishta rrethohet nga 60 forca policie, 30 efektivë të FNSH-së, si edhe nga pjesëtarë të repartit RENEA. Në këtë orë blindohet zona dhe blindat bëhen gati të ndërhyjnë.

Në orën 22:40, Arishta hap zjarr ndaj forcave RENEA, por fatmirësisht nuk pati asnjë të lënduar. Rreth orës 23:00 RENEA vendos të kundërpërgjigjet dhe ia kthen zjarrin Arishtës, ndërsa hidhen granata lotsjellëse në banesën e autorit.

Policia nis të planifikojë ndërhyjren në banesën e Arishtës rreth orës 24:00. Një autoblind rrëzon një pjesë të banesës së Arishtës, ndërsa ky vazhdon të qëllojë ndaj forcave blu.

Nata ishte disi më e qetë, ndërsa RENEA përforcohet me 5 autoblinda në vendngjarje. Gjithashtu u përdorën qen gjurmues, antiplumba dhe kamera termale. Në operacion ishte edhe Ardian Çipa, drejtor i Policisë së Tiranës.

Në orën 07:10, RENEA, duke u favorizuar edhe nga drita, pasi kishte gdhirë, nis sulmin në banesën gjysmë të rrënuar të Arishtës. Ky i fundit ishte fshehur në dhomën që shërbente si aneks.

Sapo pa forcat RENEA ai hapi zjarr sërish dhe këto u kundërprigjën, duke e plagosur rëndë autorin e vrasjes së kreut të FNSH-së së Shkodrës.

Ai u nxor nga banesa me plagë të rënda dhe u nis drejt sipatalit, mirëpo nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.  /Panorama