Detajet e aksidentit të Schumacherit

Xhirimet nga kamera në helmetën e Michael Schumacherit e tregon atë duke shkuar në shpejtësi të “një skiatori shumë të mirë në terren kryesisht të vështirë”, kur u ndesh me një gur dhe u rrëzua. Hetuesit që janë duke u marrë me aksidentin e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1 kanë njoftuar se…

Sport

08/01/2014 10:49

Xhirimet nga kamera në helmetën e Michael Schumacherit e tregon atë duke shkuar në shpejtësi të “një skiatori shumë të mirë në terren kryesisht të vështirë”, kur u ndesh me një gur dhe u rrëzua.

Hetuesit që janë duke u marrë me aksidentin e shtatë herë kampionit të botës në Formula 1 kanë njoftuar se ai ishte tetë metra jashtë shtegut kur u rrëzua. Ata thanë se 45-vjeçari “nuk e ngadalësoi shpejtësinë kur ishte jashtë shtegut”.

Schumacher pësoi lëndime të rënda në kokë në aksidentin e 29 dhjetorit. “Michael është skiator shumë i mirë. Nuk mund të dimë në saktësi shpejtësinë me të cilën ishte duke shkuar, mirëpo ishte shpejtësi e një skiatori shumë të mirë në një terren kryesisht të vështirë. U mundua të ndërronte kahjen në mënyrë që të ngadalësonte shpejtësinë. Mirëpo, shpejtësia nuk është e rëndësishme në shkaktimin e aksidentit të tij”, deklaroi hetuesi Patrick Quincy.

“Në njërën prej tyre kemi gjetur një gërvishtje që tregon se Michael mori në thua në të dhe u përplas me kokë në një gur tjetër. Nuk dua të përgjigjem nëse Michael ishte i pakujdesshëm duke skijuar jashtë shtegut. Në atë pyetje nuk do të merrni përgjigje. E kemi shikuar xhirimin e aksidentit të tij dhe ajo na ka ndihmuar për të kuptuar skenarin e rrëzimit. Xhirimi është i ruajtur dhe gjithçka shihet shumë mirë. Guri në të cilin u ndesh ishte tetë metra i madh, dhe gjendej jashtë shtegut”.

_____________________

Schumacher ende në rrezik

Menaxhmenti i Michael Schumacherit ka konfirmuar se shtatë herë kampioni i botës në Formula 1 nuk është ende jashtë rrezikut për jetë, më tepër se një javë pas aksidentit që pësoi derisa ishte duke skijuar në alpet franceze.

Ish ngasësi i Ferrarit dhe Mercedesit vazhdon të jetë në gjendje kome në spitalin në Grenoble pasi pësoi “traumë të rëndë në kokë” gjatë aksidentit të dielën.

Sabine Kehm flet në emër të familjes Schumacher

Stafi mjekësor publikoi një komunikatë të hënën ku e përshkroi gjendjen e Schumacherit si “stabile, por kritike”.

Kurse, zëdhënësja afatgjate e Schumacherit, Sabine Kehm, njëkohësisht menaxherja e tij, deklaroi: “Mund të konfirmoj se gjendja e Schumacherit mund të konsiderohet si stabile. Por, nuk mund të konfirmoj se ai është jashtë rrezikut”.

_____________________

Schumi në gjendje kritike

Gjendja shëndetësore e Michael Schumacherit është stabile por mbetet kritike, tetë ditë pasi gjermani pësoi lëndime në tru gjatë një aksidenti të skijimit në Francë.

“Gjendja kritike e Michael Schumacherit është stabile dhe ai është nën përkujdesje dhe tretman të vazhdueshëm”, ka njoftuar spitali i Grenobles nëpërmjet një komunikate.

“Mirëpo, stafi mjekësor, përgjegjës për trajtimin e tij, e vlerëson gjendjen e tij si kritike”. Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, i pensionuar për herë të dytë më 2012 lëndoi trurin pas rrëzimit me kokë në një gur, jashtë shtegut në Meribel të Francës më 27 dhjetor.

Spitali në Grenoble, ku është i shtrirë Schumacher

Schumacher vazhdon të jetë në gjendje kome dhe i është nënshtruar dy operacioneve në Grenoble. Gjermani, i cili mbushi 45 vjet të premten është ngasësi më i suksesshëm i të gjitha kohërave në Formula 1 me rekord 91 gara të fituara.

________________

Schumi, mos u dorëzo

Një mesazh i fuqishëm i përkrahjes për Michael Schumacherin, ka ardhur nga rivali i tij më i madh i fundit të viteve të 90-ta në Formula 1, Mika Hakkinen.

Ngasësi finlandez, kampion i botës me ekipin e McLarenit gjatë edicionit 1988-99, ka shkruar një letër në nder të ikonës gjermane i cili vazhdon të jetë në luftë për jetë pas aksidentit që pësoi derisa ishte duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.

“Më bëjë një nder, kësaj radhe mos tento të mbërrish i pari. Nuk ke nevojë për të shënuar kohën më të mirë në këtë garë, merre kohën e nevojshme, por mos u dorëzo”, shkroi Hakkinen në letrën e tij të publikuar nga e përditshmja gjermane Bild. 

_______________________

Dëshmitari i aksidentit të Schumit

Vazhdojnë të vijnë njoftime interesante rreth aksidentit të tmerrshëm që i ndodhi Michael Schumacherit.

Sipas të përditshmes franceze Le Journal du Dimanche, ekziston një dëshmitar i rrëzimit të ish shtatë herë kampionit të botës në Formula 1 i cili madje pa qëllim ka xhiruar momentin e rrezikut të Schumacherit.

Ai thuhet se ishte ndalur për të xhiruar të dashurën e tij që ishte duke skijuar, kur në prapavijë një person u rrëzua nga shtegu.

Ngjarja dhe skenari lë pak dyshime: ishte Schumacher. “Ishte duke shkuar rreth 20 kilometra në orë, jo më shumë”, deklaroi ai.

__________________________

Reagon familja Schumacher

Familja e Michael Schumacherit kanë mohuar njoftimet se jeta e ikonës së Formulës 1 është jashtë rrezikut.

Gjermani është në gjendje kome në spitalin e Grenobles pas pësimit të lëndimeve të rënda në kokë gjatë aksidentit që pësoi derisa ishte duke skijuar në shtegun Meribel në Francë të dielën.

Por, më herët gjatë ditës së shtunë, ish ngasësi i Formulës 1, Philippe Strieff deklaroi për media se ka marrë informacione nga kirurgu Gerard Saillant se Schumacher është jashtë rrezikut për jetë. Mirëpo, nuk vonoi gjatë dhe erdhi reagimi nga familja Schumacher.

Sabine Kehm flet në emër të familjes Schumacher

Nëpërmjet një komunikate, në emër të familjes, menaxherja e Schumacherit, Sabine Kehm deklaroi: “Gjendja e Michaelit mbetet kritike por e pandryshueshme. Ne duam të sqarojmë se çdo informatë në lidhje me shëndetin e Michaelit që nuk vjen nga doktorët që e trajtojnë ose menaxheri i tij, duhet të trajtohet si e pasaktë ose spekulim. Familjes i intereson vetëm shëndeti i Michaelit”, deklaroi ajo.

_______________________

Schumacher jashtë rrezikut për jetë

Një shok i Michael Schumacherit ka thënë se ikona e Formulës 1 është “jashtë rrezikut për jetë”.

Në deklaratat e tij para gazetarëve në dalje në spitalit në Grenoble – ku është duke u trajtuar ylli gjerman pas lëndimeve të rënda në kokë – Philippe Streiff deklaroi: “Nuk jam doktor, po u tregoj atë që më ka thënë Gerard Saillant (kirurg dhe shok i Schumacherit). Michael është në gjendje të rëndë por jeta e tij nuk është më në rrezik, fatmirësisht”.

Philipp Streiff foli në dalje të spitalit

Schumacher, i cili mbushi 45 vjet të premten vazhdon të trajtohet në spitalin e Grenobles pas lëndimeve të rënda në kokë që pësoi pas rrëzimit gjatë një aksidenti derisa ishte duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.

___________________________

Schumacher kishte kamerë në helmetë

Sipas mediave franceze ekziston mundësia se Michael Schumacher, gjatë aksidentit që pësoi derisa ishte duke skijuar në shtegun Meribel në Francë, në helmetën e tij kishte të instaluar një kamerë.

Ende nuk dihet nëse ky informacion është i qartë ose nëse kamera ishte e ndezur ose e fikur në momentin kur shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, Schumacher u rrëzua duke goditur me kokë një nga gurët që ishin jashtë shtegut të skijimit, përplasje që i solli gjakderdhje në tru prej së cilës ende është i shtrirë në gjendje kome në një spital në Grenoble.

Prokuroria nga Albertville nuk ka dashur të komentojë njoftimet: “Komunikimi i rezultateve të hetimeve do të bëhet në përputhshmëri me privatësinë e familjes”.

Gjithnjë sipas mediave franceze, disa media gjermane (pa u precizuar se kush) kanë në dispozicion fotografi të aksidentit por që ende nuk janë publikuar.

________________________

Ditëlindja e Schumacherit

Legjenda e Formulës 1, Michael Schumacher mbush sot 45 vjet derisa vazhdon të jetë në gjendje kome në spitalin e Grenobles në Francë pas lëndimeve të rënda në kokë që pësoi pas aksidentit në skijim.

Doktorët dhe anëtarët e familjes së ikonës gjermane mbeten të heshtur rreth gjendjes së Schumacherit, i cili është i shtrirë në spital nga e diela kur u ndesh me kokë në një gur derisa ishte duke skijuar në Alpet e Francës.

Tifozë të Ferrarit janë grumbulluar jashtë spitalit me rastin e ditëlindjes së Schumacherit

Ekipi i Ferrarit, ku Schumacher kaloi shumë vjet, ka njoftuar se do të organizojë një “tubim të heshtur” para spitalit në Grenoble për të shënuar ditëlindjen e yllit të pensionuar, i cili vazhdon të jetë në gjendje kritike.

_____________________

Schumacher nuk do të dorëzohet

Familja e Michael Schumacherit ka thyer heshtjen dhe falënderuar publikun për “përkrahjen e mrekullueshme” pas aksidentit të rëndë të legjendës së Formulës 1.

Në një komunikatë të publikuar në uebfaqen zyrtare të Schumacherit shkruan: “Pas aksidentit të Michaelit, ne duam t’i falënderohemi të gjithë njerëzve në mbarë botën që kanë shprehur simpatinë dhe i kanë dërguar urimet e tyre për rikuperimin e tij. Ata janë duke na dhënë përkrahje të mrekullueshme”.

Schumacher dhe gruaja e tij Corinna

 

“Ne të gjithë e dimë se ai është luftëtar dhe nuk do të dorëzohet. Ju faleminderit”.

44-vjeçari mbetet në spitalin në Grenoble pas aksidentit që pësoi derisa ishte duke skijuar në shtegun Meribel në Francë që e la me lëndime të rënda në tru. Gjendja e tij është kritike por stabile. Gruaja e tij Corinna, vajza 16-vjeçe Ginna-Maria dhe biri Mick, (14) janë duke qëndruar në dhomë me të. 

_____________________

Si u rrëzua Schumi?

Gjendja shëndetësore e Michael Schumacherit ka shënuar përmirësim të lehtë në ditën e fundit, mirëpo ende nuk dihen rrethanat se si erdhi deri tek rrëzimi i tij që i solli gjakderdhje në tru derisa ishte duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.

Por, e përditshmja gjermane Bild ka raportuar se legjenda e Formulës 1 kishte shkuar për t’i ndihmuar bijës së një shoku që ishte rrëzuar.

Vendi ku u rrëzua Schumacheri

Ai doli nga shtegu duke hyrë në një zonë me borë të pashkelur dhe aty humbi kontrollin dhe u rrëzua duke e qëlluar me kokë një prej gurëve të shumtë që ishin në atë hapësirë.

______________________

Stabilizohet Schumacheri

Menaxherja e Michael Schumacherit ka thënë se gjendja e tij ka qenë stabile gjatë natës në spitalin në Grenoble.

Në paraqitjen e saj jashtë spitalit, Sabine Kehm deklaroi se: “Gjendja e Michaelit është mbikëqyrur gjatë natës dhe mbeti stabile gjatë saj si dhe tani në kohën kur po flasin. Lajmi i mirë për sot është se nuk kemi nevojë të mbajmë konference për media për shkak se nuk ka ndryshime të konsiderueshme”. 

______________________

Schumacher është më mirë

Gjendja shëndetësore e Michael Schumacherit është përmirësuar pas një operacioni që e liroi presionin në trurin e tij, kanë njoftuar doktorët në spitalin në Grenoble ku është duke u trajtuar legjenda e Formulës 1 pas aksidentit të rëndë derisa ishte duke skijuar në shtegun Meribel në Grancë.

Schumacher kaloi natën e dytë në spital derisa doktorët e trajtuan atë “orë pas ore” për t’ia shpëtuar jetën. Gjatë një konference për shtyp, doktorët kanë thënë se kanë kryer një operacion të ri që zgjati dy orë, për të reduktuar hematomën në trurin e tij.

Dhe, analiza ka treguar se procedura solli një përmirësim të lehtë por ata ende nuk mund të thonë se gjermani është jashtë rrezikut. Gruaja e Schumacherit, Corinna, me të cilën ai ka dy fëmijë, janë me të në spital.

____________________

Aksident i pabesueshëm

Niki Lauda, ish kampioni i botës në Formula 1, ka shprehur habinë e tij për aksidentin e Michael Schumacherit.

Ish ikona e Ferrarit që fitoi tre tituj të kampionit të botës, i tha të përditshmes britanike The Guardian se: “Më erdhi si një goditje e papritur dhe tërësisht e pashpjegueshme pse ky ngasës i mrekullueshëm, i cili fitoi shtatë tituj të kampionit në mbi 300 para, dhe shpëtoi i gjallë, mund të pësoj dika si kjo, t’i ndodh dika si kjo. Është tragjike”.

 

Lauda rezervoi lëvdata për Schumacherin, i cili vazhdon të jetë në gjendje kritike pas aksidentit që pësoi derisa ishte duke skijuar në Francë. “Ai ishte ngasësi më i mirë nga të gjithë, me shtatë tituj”. 

_____________________

Aksidenti i Schumacherit

Pas shumë njoftimeve dhe pritjeve është publikuar videoja e parë që tregon momentin dramatik kur Michael Schumacher u transportua për në spitalin në Grenoble, pas aksidentit të tmerrshëm që pësoi duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.

Dhjetëra skiatorë kanë mbetur të shtangur përreth derisa shikojnë ngritjen e helikopterit që e transportoi yllin gjerman për në spital.

Sipas  Schumacher duke skijuar[/caption]

“Lëndimi i Schumacherit është i ngjashëm me ata të pësuar në stinorët e fundit nga Albrecht dhe Grugger. Ata ishin seriozisht të lënduar, por u shëruan dhe sot jetojnë një jetë normale. Schumacher nuk u rrëzua me shpejtësinë e tyre, andaj ka shanse të mira. Atletët kanë fuqi për të tejkaluar momentet e këqija”, u shpreh ai.

___________________

Faleminderit të gjithëve

Corinna Betsch, gruaja e Michael Schumacherit, ka falënderuar mjekët dhe të gjithë ata që janë duke shprehur përkrahjen e tyre të pandalshme për legjendën e Formulës 1, i cili është në luftë me jetën, pas aksidentit derisa ishte duke skijuar në Francë.

“Duam të shprehim mirënjohjen tonë”, deklaroi Corinna, nga spitali në Grenoble ku burri i saj është ende në gjendje kome dhe kritike, pavarësisht operacionit të cilit iu nënshtrua mbrëmë.

“I falënderohemi mjekëve që e kanë operuar dhe janë duke e kuruar, si dhe shprehim mirënjohjen të gjithë atyre anembanë botës që kanë shprehur përkrahjen e tyre”, u shpreh ajo.

Schumacher do të shpëtojë 

Ish ngasësi i Formulës 1, David Coulthard ka deklaruar se aksidenti i Michael Schumacherit është dëshmi se skijimi është më i rrezikshëm se gara me bolide. Schumacher, shtatë herë kampion i botës në Formula 1, është ende në komë dhe në gjendje kritike pas rrëzimit gjatë skijimit në Francë.

“Skijimi është sport më i rrezikshëm se garat motorike me bolidë ose motorë, e tregojnë edhe statistikat. Njerëzit mund të shpresojnë dhe të luten për të, por ata duhet ta bëjnë këtë me vetëdije se ai ka përkujdesjen më të mirë të mundshme mjekësore dhe nëse dikush mund ta tejkalojë këtë, ai është Michael Schumacher”, deklaroi Coulthard për BBC News Channel.

Coulthard dhe Schumacher

“Nëse ekziston dikush që di të menaxhoj fuqinë e brendshme dhe përkushtimin, atëherë nuk ka dyshim në mendjen time se Michael Schumacher është ai njeri”, u shpreh ish ngasësi britanik.

________________________

Merkel lutet për Schumacherin

Nuk janë vetëm sportistët ata që luten për shërimin e Michael Schumacherit pas gjendjes kritike në të cilën gjendet aktualisht pas rrëzimit që pësoi duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.

Edhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, është e shokuar me lajmin e incidentit. Zëdhënësi i saj, Steffen Seibert tha për mediat gjermane: “Njësoj sikurse miliona gjermanë, Kancelarja dhe anëtarët e Qeverisë Federale janë shokuar kur dëgjuan për incidentin e rëndë të Schumacherit. Ne lutemi që lëndimet e tij të shërohen dhe ai të rikuperohet. I urojmë fuqi gruas, fëmijëve dhe mbarë familjes së tij dhe përkrahjen tonë të pandashme”.

Përkrahje Schumacherit i ka shprehur edhe kampioni aktual i botës në Formula 1, Sebastian Vettel. “Jam i shokuar dhe shpresoj që ai të rikuperohet sa më parë që është e mundur. I uroj fuqi familjes së tij”, deklaroi katër herë kampioni Vettel për Bild.

Forza Schumi

Mbarë bota e Formulës 1 dhe sportit në përgjithësi është duke shprehur përkrahjen ndaj Michael Schumacherit, i cili po lufton për jetë pas një aksidenti të rëndë të cilin e pësoi duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.

Shtatë herë kampioni i botës në Formula 1, është ende në gjendje kome dhe mjekët kanë refuzuar të parashikojnë nëse ai do të shpëtojë i gjallë. Në ndërkohë, ish skuadra e tij Ferrari ka shprehur përkrahjen për legjendën gjermane.

“I gjithë Ferrari është pranë teje, Michael. Jemi tronditur kur morëm lajmin për incidentin. Forza Schumi”, thuhet në komunikatën e Ferrarit.

Kurse, edhe ekipi Mercedes F1, ku Schumacher u paraqit pas rikthimit në sport dhe pensionimit më 2012.

“Pas lëndimeve të rënda që pësoi në një aksident gjatë skijimit në Francë, mendimet dhe simpatia jonë, e gjithë ekipit të Mercedesit janë me Michaelin, familjen dhe shokët e tij. Sinqerisht, shpresojmë që ai të rikuperohet plotësisht dhe të jenë sërish me ne së shpejti”, shkruan në komunikatën e Mercedesit.

_______________________

Schumacher në luftë për jetë

Kirurgu Yohan Payan ka dhënë raportin më të ri mjekësor rreth gjendjes shëndetësore të Michael Schumacherit.

Legjenda e Formës 1 dhe shtatë herë kampioni i botës, vazhdon të jetë në gjendje kritike, pas tronditjes në tru që pësoi pas një rrëzimi duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.

Dhe, Payan, në paraqitjen e tij para medieve nga spitali në Grenoble deklaroi: “Gjendja e tij është kritike dhe ai është ende në komë, dhe do të mbahet në komë. Gjithçka që është dashur të bëhet është bërë dhe për momentin nuk mund të themi nëse do të rikuperohet, nuk mund ta japim ende këtë përgjigje”.

Kirurgët që e operuan Schumacherin

“Mund të themi se është në luftë për jetë. Është në gjendje shumë kritike. Jemi duke punuar orë pas ore por është ende herët të parashikojmë se çka do të ndodh. Helmeta i ndihmoi, pa të nuk do të ishte këtu tani”, shtoi ai, derisa sqaroi se Schumacher është operuar vetëm një herë.

_____________________

Schumacher ende në komë

Në pritje të raportit mjekësor të paraparë për në ora 11:00, që do të na njoftojë më mirë me gjendjen shëndetësore të legjendës së Formulës 1, Michael Schumacher, vazhdojnë të qarkullojnë lajme brengosëse për ikonën gjermane.

Sipas të përditshmes gjermane Bild, gjatë orëve të hershme të mëngjesit të së hënës, Schumacher – që vazhdon të jetë në komë –  është operuar sërish në tru.

Specialistë të mjekësisë kanë shprehur brengosjen e tyre në rast të konfirmimit të lajmit për ndërhyrjen e re në tru. Schumacher është në rrezik për jetë pas një aksidenti të rëndë të cilin e pësoi duke skijuar në shtegun Meribel në Francë.