Detajet e aksidentit ku vdiq një person në Ferizaj, e përfshirë një veturë me targa të huaja

Një 43 vjeçar ka mbetur  i vdekur kurse tre persona tjerë janë lënduar rëndë si pasojë e një aksidenti në rrugën Ferizaj-Gjilan.

Lajme

15/07/2018 11:17

Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhhënsi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Nexhat Xhokrri.

Xhokrri ka thënë për lajmi.net se aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:20 minuta.

“Hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë. Njësitet policore janë në vendin e ngjarjes”, tha Xhokrri.

Zëdhënësi i Policisë gjithashtu ka bërë të ditur se në aksident kanë qenë të përfshira dy vetura, njëra prej të cilave ka qenë me targa të huaja.

Mësohet se shkaktar i aksidentit ka qenë mos-përshtatja me kushtet e rrugës dhe tejkalimi i shpejtësisë.

Kujtojmë që pikërisht një javë më parë në Suharekë, humbën jetën 5 anëtarë të një familje si pasojë e një aksidenti në Duhël.

Sipas statistikave të Policisë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, kanë humbur jetën 51 persona nëpër aksidente trafiku.

Përkundër se është shqiptuar një numër i madh i tiketave, dhe ndryshimit të ligjit për dënimet në trafik, numri i aksidenteve vazhdon të mbetet  i madh. /Lajmi.net/