Detaje të tjera nga vrasja e dyfishtë në Shkodër

Vrasja e çiftit Berçama që ndodhi mëngjesin e sotëm në Shkodër, ka bërë autoritetet e policisë të punojnë mbi zbardhje e këtij ekzekutimi. Mësohet se polica po heton në dy pista larje hesapesh ose zhdukje e dëshmitareve.

Lajme

15/07/2018 17:44

Deri më tani nuk ka asnjë të shoqëruar në polici mbi ngjarjen.

Mësohet se policia e Shkodrës është përqendruar në pamjet filmike të bizneseve pranë të cilat nuk dihet sa do ndihmojnë pasi ka qenë errësirë, por dhe konfrontimin mes gëzhojave të gjetura pranë viktimave dhe armës se gjetur në mjetin e shkrumbuar në periferi të qytetit.

Kujtojmë se ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit, ku çifti u ekzekutua brenda makinës.

Njëri prej viktimave është identifikuar si Boran Berçama, 30-vjeç, ndërsa paraprakisht thuhet se ai ka qenë një efektiv policie në Pukë. Në vendngjarje janë gjetur 25 gëzhoja nga plumbat e pistoletës.

Ajo që e bën dhe më të rëndë vrasjen e dyfishtë është se në makinë në momentin që ka ndodhur ngjarja ka qenë dhe fëmija 1-vjeçar i çiftit. I vogli është dërguar për në spitalin e Shkodrës, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Ekzekutimi i çiftit Bërçama ka ndodhur në hyrjen e pallatit të tyre në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, rreth orës 6:00. Kanë qenë fqinjët ata që kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë lajmëruar policinë. Ata kanë gjetur fëmijën e mitur në pjesën e pasme të makinës, të trembur, po fatmirësisht pa asnjë dëmtim.

Duke parë skenën e krimit dhe 25-gëzhojat e gjendura në vendngjarje, përjashtohet çdo mundësi që të kemi të bëjmë me një krim në familje.