Detaje të reja rreth vrasjes me eksploziv në Gjakovë

Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Gjakovë kanë dhënë detaje rreth vrasjes me eksploziv që ndodhi në mëngjesin e sotëm në Smolicë të Gjakovës.

Lajme

14/10/2018 19:02

Lidhur me vrasjen me eksploziv të H.A. në Smolicë të Gjakovës, është kontaktuar Policia dhe Prokuroria e Gjakovës për të kuptuar nëse ka ndonjë pistë që do të çonte tek autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit në derën e oborrit të shtëpisë së viktimës.

Komandanti i Policisë së Rajonit të Gjakovës, Krist Gjokaj, ka deklaruar se trupi i viktimës është në obduksion dhe se janë në pritje për të mësuar rrethanat e ngjarjes.

“Aktualisht nuk kemi as të dyshuar dhe as të arrestuar. Trupi i viktimës është në obduksion për të mësuar rrethanat e ngjarjes. Më tutje nuk kam koment, sepse mund t’i dëmtoj hetimet”, tha Gjokaj për kallxo.com.

Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, tha se ende nuk ka të dyshuar dhe as të arrestuar lidhur me rastin.

“Ende nuk ka asnjë person që është cilësuar si i dyshuar dhe asnjë person nuk është arrestuar në lidhje me rastin e shpërthimit të bombës në Gjakovë”, tha kryeprokurori Selimaj për kallxo.com.

Një person me inicialet H.A i moshës 61-vjeçare, ka mbetur i vdekur si pasojë e shpërthimit të eksplozivit në derë të shtëpisë së tij, në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Smolicë të Gjakovës.