Destabilizimi i ndihmon idesë së shkëmbimit të territoreve, analistët komentojnë gjendjen në veri

Sot, katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës, Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë dhënë dorëheqje.

Lajme

27/11/2018 19:13

Arsyeja e dorëheqjes së kryetarëve të komunave me shumicë serbe, ka qenë vendimi i Qeverisë së Kosovës për ngritjen e taksës për 100 për qind për produktet serbe.

Përveç dorëheqjes, katër kryetarët serbë të komunave nënshkruan edhe një deklaratë, ku bëhet thirrje për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Lexo edhe: Veprimi i paparalajmëruar i Listës Serbe, askush nuk u informua për dorëheqjen e kryetarëve të komunave

Gjithashtu, Gjykata Themelore në Mitrovicë të Veriut ka pushuar së funksionuari, shkruan lajmi.net.

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar analistët Imer Mushkolaj e Ramush Tahiri të cilët kanë komentuar situatën e krijuar.

Tahiri për lajmi.net është shprehur se dorëheqja ka qenë e pritur sepse është paralajmëruar, mirëpo situata nuk është e mirë.

“Dorëheqja është pritur sepse ka qenë e paralajmëruar. Tani duhet të shohim cilat janë pasojat ligjore dhe cili do të jetë reagimi zyrtar i institucioneve. Situata nuk është e mirë sepse ato janë institucione të Kosovës që dalin nga decentralizimi dhe komunat e Kosovës, e kjo çështje duhet të zgjidhet brenda institucioneve”, është shprehur Tahiri.

Ai ka konsideruar se pushimi i punës së Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës dhe dorëheqja e kryetarëve të komunave veriore paraqet rrezik, pasi në këso raste mund të krijohet anarkia.

“Jo vetëm gjykata, por gjithë procesi i administrimit në pushtetin lokal, paraqet rrezik sepse në një mjedis që nuk funksionon pushteti, krijohet anarki”, është shprehur Tahiri.

Sipas Tahirit, zgjidhja e vetme është zgjidhja institucionale duke pritur gjithashtu edhe reagimin e miqve ndërkombëtarë.

“Situata nuk duhet të eskalojë më tutje. Është e drejtë kushtetuese e çdo kryetari komune të jep dorëheqje mirëpo institucionet duhet të veprojnë në mënyrë konstruktive që të mos ketë moskuptim ose konflikt mes pushtetit lokal dhe atij qendror”, tha Tahiri për lajmi.net.

Gjithashtu, edhe analisti Imer Mushkolaj ka konsideruar se është krijuar një gjendje e jashtëzakonshme dhe ai e sheh tepër problematike pushimin e punës së Gjykatës Themelore në veri të Mitrovicës, duke konsideruar se është shkelur edhe rendi kushtetues dhe marrëveshja e Brukselit.

“Është gjendje e jashtëzakonshme, sepse kryetarët e katër komunave në pjesë të rëndësishme të Kosovës kanë jap dorëheqje. Por më tepër është problematike edhe pushimi i punës i Gjykatës Themelore në veri të Kosovës, kjo nënkupton se është shkelur rendi kushtetues dhe marrëveshja e Brukselit”, tha Mushkolaj për lajmi.net.

Ai është shprehur se mosreagimi i qeverisë së vendit është i papranueshëm sepse ka qenë e ditur qysh prej vendosjes së taksës që mund të ketë reagime të tilla.

“Për mua është e papranueshme mosreagimi qeverisë së vendit për shkak se qysh prej vendosjes së taksës është ditë që mund të ketë reagime të tilla. Qeveria duhet të jetë e gatshme të veprojë për qytetarët e asaj pjese që kanë nevojë për gjykatë”, është shprehur Mushkolaj.

Ai është shprehur gjithashtu se mund të dyshohet se destabilizimi në atë pjesë të vendit i konvenon më së shumti atyre që e përkrahin idenë e korrigjimit të kufirit dhe shkëmbimit të territoreve.

“Nëse duam të spekulojmë dhe me hy në teori konspirative, një gjendje e tillë i shkon më së shumti për shtati atyre që përkrahin idenë e shkëmbimit të territoreve dhe korrigjimit të kufijve, për shkak se destabilizimi i kësaj pjese, çon drejt realizimit të kësaj ideje. Dhe unë si qytetar, që secili ka të drejtë të dyshoj, dyshoj se heshtja e qeverisë, mos eventualisht është e qëllimshme, mos realisht, mosreagimi me kohë është i qëllimshëm”, është shprehur Mushkolaj.

Mushkolaj është shprehur gjithashtu se zgjidhja e vetme e këtij problemi është nëpërmjet ligjeve dhe kushtetutës së Kosovës. /Lajmi.net/