Dështon tryeza për romët, ashkalitë dhe egjiptasit

Avokati i Popullit organizon tryezë për të drejtat e komuniteteve RAE, këta të fundit nuk marrin pjesë. Sami Kurteshi e quan tryezën të dështuar e ata vazhdojnë të mbesin të trajtuar keq.

Lajme

23/12/2013 16:02

Tryeza e organizuar nga Institucioni i Avokatit të Popullit për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas ka dështuar për shkak të mungesës të një numri të madh të përfaqësuesve të shoqërisë civile nga komuniteti pakicë .

Ombudspersoni i Kosovës, Sami Kurteshi, e ka quajtur këtë takim të dështuar duke thënë se pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komuniteteve është e pamundur të njihen me problemet me të cilat ballafaqohen ata.

“Unë personalisht në masën më të madhe këtë takim e quaj të dështuar, pikërisht për shkak të mungesës të atyre njerëzve që është dashur të jenë këtu. Diskutimet për problemet e tyre pa praninë e tyre janë të thata janë të kota”.

“Qëllimi i organizimit të këtij takimi në fund të vitit ka qenë pikërisht ky, të shohim edhe nga perspektiva jonë edhe nga vet perspektiva e atyre komuniteteve, cilat janë ato forma të diskriminimit qofshin institucionale, strukturore, individuale, të drejtpërdrejta apo të tërthorta, t`i dëgjojmë nga vet njerëzit që e përjetojnë këtë”.

“Qëllimi ka qenë t`i shohim se cilat janë ato shkaqe që ndikojnë që gjendja  e keqe e këtyre komuniteteve në Kosovë, vazhdon të mbetet e njëjtë  pa pasur lëvizje të prekshme, të dukshme pozitive”.

Ndonëse të pranishëm ishin një numër shumë i vogël,  Kurteshi ka deklaruar se komunitetet në Kosovë janë më të diskriminuarat.

“Ne konstatojmë dhe nuk është konstatim vetëm i yni në qoftë se ka komunitete që janë të diskriminuara për arsye të shumta historike, politike, ekonomike, shoqërore në vende të ndryshme edhe në Kosovë, atëherë këto janë ato komunitete që vërtet janë të diskriminuar”.

“Ne jemi të bindur se gjendja e këtyre komuniteteve  në Kosovë është pasoj e një varg faktorësh të cilët ne nuk mund t`i identifikojmë vetëm ne si institucion pa marrë parasysh sa të informuar jemi”.

Bashkim Paçaku, kryesues i OJQ`së “Romani Baxt”, ka thënë se komunitetit rom është duke u diskriminuar vit pas viti. Ai thotë se romët po diskriminohen sikur në baza individuale po ashtu edhe grupore.

“Kemi të drejtë plotësisht të themi se ky komunitet dhe komunitetet tjera janë të diskriminuar. Komuniteti rom është duke u diskriminuar si në mënyrë individuale ashtu edhe në mënyrë grupore”.

Ai ka bërë thirrje avokatit të popullit që të jetë i pranishëm në takimet e komunitetit rom çdo herë në mënyrë që të njihet për së afërmi me problemet e këtij komuniteti.