Dështon të mbahet gjykimi për korrupsion ndaj zyrtarëve të Komunës së Skenderajt

Mungesa e të akuzuarit Hetem Sejdijaj, ka bërë që të shtyhet seanca e shqyrtimit kryesor ndaj pesë zyrtarëve të Komunës së Skenderajt, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme

26/09/2017 12:33

I akuzuari Sejdijaj, me një parashtresë, më 25 shtator 2017, kishte kërkuar nga gjykata që seanca e paraparë për të martën, të shtyhet për një datë tjetër, pasi që më 20 shtator, ka pësuar një aksident në komunikacion.

Trupi gjykues, ka bërë të ditur se parashtresa në fjalë ka të bashkangjitur raportin mjekësor të lëshuar nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), në Prishtinë,

Me propozimin për shtyrjen e seancës, është pajtuar edhe prokurori i rastit Njazi Rexha.

Seanca e radhës, është caktuar më 20 tetor 2017, nga ora 10:00 ku me ftesë të veçantë do të ftohet i akuzuari Hetem Sejdijaj.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i pandehuri Halim Gecaj akuzohet se në cilësinë e drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi në Komunën e Skenderajt ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që tjetrit t’i sjellë dobi pasurore. Këtë e kishte bërë në atë mënyrë që në kundërshtim me ligjet u kishte dhënë në shfrytëzim personave pronat e Komunës, pa miratimin e Kuvendit Komunal. I pandehuri në këtë mënyrë kishte dhënë në shfrytëzim plot 37 prona.

Në një periudhë tjetër kohore, në cilësinë e Drejtorit për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronësi në Komunën e Skenderajt, në këtë mënyrë kishte vepruar edhe Lulzim Kadriu. I pandehuri, akuzohet se kishte dhënë me qira 4 lokale pa miratimin e Kuvendit Komunal.

Në këtë rast për lidhje të kontratës mbi qiramarrje, ka qenë i akuzuar edhe Feriz Zeqiri, por ndaj tij ka pushuar procedura penale, pasi që i njëjti ka ndërruar jetë.

Kjo aktakuzë i ngarkon edhe Hetem Sejdiaj, Valentina Jashari dhe Nuradin Hasani, të tre këta anëtarë të komisionit për hapjen dhe vlerësimin e ofertave për dhënien e tokës në shfrytëzim dhe ndërtim për menaxhimin e tregut të gjelbër në Skenderaj. Sipas aktakuzës, anëtarët e komisionit e kanë kualifikuar për procedurë seleksionimi kompaninë NTSH “Doni Comerc”, edhe pse ky i fundit nuk i kishte plotësuar kriteret e kërkuara ligjore.

Vepra penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 të KPRK-së dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.