Dështon seanca për rastin e arratisjes së Sami Lushtakut nga QKUK

Prokurori Romelo Mateus e ka cilësuar fyerje për drejtësinë shtyrjen e serishme të gjykimit të Sami Lushtakut për arratisjen nga QKUK-ja.

Lajme

07/11/2017 10:25

 

Seanca e gjykimit të 24 personave për arratisjen e Sami Lushtakut nga QKUK-ja nuk u zhvillua as sot, pasi munguan të akuzuarit Mërgim Lushtaku dhe Dardan Geci.

Gjyqtari Shasivar Hoti tha se Mërgim Lushtaku, deputeti i Kuvendit të Kosovës ka qenë i pranishëm në seancën e kaluar dhe ishte i njoftuar se seanca ishte e caktuar për sot, ndërsa Dardan Geci mungoi edhe në seancën e kaluar, edhe pse ftesa për seancën e sotme i kishte shkuar në adresën ku jeton.

Seanca e sotme u shty për shkak të mungesës së Lushtakut e Gecit, ndërsa gjykata lëshoi urdhëresë për sjellje me detyrim të atyre që munguan, shkruan kallxo.com.

Para se të shtyhet seanca, prokurori i EULEX-it Romulo Mateus e konsideroi fyerje për drejtësinë shtyrjen e këtij procesi gjyqësor.

“Kjo aktakuzë është ngritur para një viti dhe ka gjasë që ky gjykim të mos fillojë këtë vit. Kjo është fyerje për drejtësinë”, tha Mateus, duke kërkuar veçimin e procedurës ndaj të akuzuarve që mungojnë.

Gjyqtari Shasivar Hoti e refuzoi kërkesën për veçim të procedurës me arsyetimin se në afat shumë të shkurtër do të caktohet seanca.

Ai pastaj seancën që nuk u zhvillua e caktoi më 24 nëntor.

Edhe seanca fillestare e këtij gjykimi e caktuar më 25 shtator nuk u mbajt, ngase munguan tre të akuzuar.

Aktakuza lidhet me arratisjen nga QKUK-ja të Sami Lushtakut, Sahit Jasharit e Ismet Haxhës, tre të akuzuarve të Grupit Drenica në vitin 2014.

Aktakuza e cila përfshin një varg zyrtarësh të lartë të Ministrisë së Drejtësisë, përshkruan pretendimet për mënyrën se si u arratis Lushtaku nga burgu duke treguar makinën dhe personin i cili e barti atë nga spitali drejt një banese.

E njëjta përshkruan mënyrën se si pas arratisjes së Lushtakut drejtori i Burgut të Prishtinës ishte avancuar në krye të Shërbimit Korrektues.

Pjesë e aktakuzës është edhe i biri i Lushtakut, Mërgimi, roli i të cilit përshkruhet në këtë akt të Prokurorisë.

Aktakuza përshkruan edhe përfshirjen e zyrtarëve tjerë të Ministrisë së Drejtësisë, të cilët refuzuan ta transferonin Lushtakun në Burgun e Mitrovicës.

Në këtë aktakuzë edhe mjekë të QKUK-së ngarkohen se dhanë diagnoza të falsifikuara për Lushtakun, e po ashtu pjesë e aktakuzës janë edhe bashkëpunëtorë të Lushtakut të cilët u ofruan dëshmitarëve para e banesa në këmbim të deklaratave.

Aktakuza për arratisjen nga QKUK-ja u ngrit vitin e kaluar.

Në korrik të këtij viti, Gjykata Supreme e ka liruar Lushtakun nga akuza për krime të luftës në bazë të së cilës ai ishte dënuar me 12 vjet burg në vitin 2015, dënim të cilin Gjykata e Apelit e kishte zvogëluar në 7 vjet burg.