Dështon MTI: vetëm një përqind e naftës kontrollohet

Nafta që importohet në Kosovë nuk i kontrollohet cilësia. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), përkundër faktit se ka autorizuar trupa inspektues dhe laboratorë në kufij, nuk po i merr analizat.

Lajme

16/11/2014 09:15

Siç shkruan Kosova Sot, importi i derivateve të naftës bëhet vetëm duke iu bërë përshkrimi i analizave e jo të merren mostrat për analizat laboratorike, në mënyrë që të dihet se çfarë cilësie hyn në Kosovë.

Kryetari i Shoqatës së naftëtarëve, Fadil Berjani thotë se fjator për moscilësi është MTI-ja. Ai thotë se vetëm 1 përqind e importit të derivateve të naftës në Kosovë matet për nga cilësia.

“Ne si shoqatë gjithmonë e kemi ngritur zërin. Në kufi duhet të stacionohen laboratorë, ku çdo të dytit apo të tretit autobot duhet t’i kontrollohet cilësia. Lus MTI-në që monitorimin ta bëjë, sepse malli po hyn i pakontrolluar në Kosovë”, ka thënë ai.

Ndërkaq një burim i gazetës ka treguar se mostrat në rastin e importit të derivateve të naftës nuk merren në kufi, por aty bëhet vetëm përshkrimi i analizave.

“Janë katër trupa inspektuese për konfomitet, por këto bëjnë vetëm përshkrimin e analizave dhe nuk ka teste laboratorike. Prej vitit 2012 është tejkaluar më tepër se 1 përqind e mostrave që janë marrë gjatë hyrjes së produkteve tyë naftës”, ka thënë ky burim, shkruan Kosova Sot.