Dështon iniciativa e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, tërhiqen shumica e nënshkrimeve

Të mërkurën e 17 janarit, Kryesia e Kuvendit do të mblidhet për të diskutuar për seancën e parë të sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës.

Lajme

13/01/2018 18:49

Në mesin e shumë pikave të rendit të ditës në këtë mbledhje është edhe kërkesa e organizatave të dala nga lufta për seancë të jashtëzakonshme.

Kjo pikë ka të bëjë me peticionin e organizuar nga këto organizata për të hapur debat në Kuvendin e Kosovës lidhur me Gjykatën Speciale.

Lajmi.net merr vesh se edhe nëse kalon kjo pikë e rendit të ditës, në seancën e Kuvendit nuk do të ketë votim për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, por vetëm debat parlamentar.

“Askush nuk mund të fus në votim diçka që s’ka bazë ligjore ose iniciativë që duhet të jetë nga Qeveria e Kosovës ose nga së paku 40 deputetë. Kërkesa për seancë të jashtëzakonshme e veteranëve të UÇK-së është vetëm debat parlamentar dhe me kaq përfundon”, thonë burime brenda Kuvendit për lajmi.net.

Iniciativa për shfuqizimin e një ligji, qoftë ai edhe ligji për Gjykatën Speciale duhet të burojë nga Qeveria e cila propozon një ligj tjetër për ta zëvendësuar atë, marrë parasysh se Gjykata Speciale ka edhe implikime Kushtetuese.

Lajmi.net po ashtu merr vesh se më nuk ka gatishmëri as nga shumica e deputetëve që e kanë nënshkruar kërkesën për shfuqizimin e Gjykatës S speciales.

“Tashmë shumica e deputetëve, sidomos ata të PDK-së, AKR-së dhe minoriteteve joserbe janë tërhequr nga ideja për të thirr seancë të jashtëzakonshme për Gjykatën Speciale. Numri nuk mund të jetë më shumë se 20 ose 15, ndërsa për seancë të jashtëzakonshme duhen minimalisht 40 nënshkrime të deputetëve”, thonë burimet.

Në natën kritike të 22 dhjetorit ishte mbledhur 43 nënshkrime, megjithatë kishte dështuar thirrja e seancës së jashtëzakonshme për shkak se Kryesia e Kuvendit nuk kishte kuorum. /Lajmi.net/