Dështon gjykimi për krime lufte

Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ishte paraparë të vazhdonte gjykimi për krime lufte kundër të akuzuarit Remzi Shala, mirëpo një gjë e tillë është pamundësuar, pasi që i akuzuari ka munguar.

Lajme

20/06/2018 14:59

Avokati i të akuzuarit, Natal Bullakaj, ka njoftuar gjykatën se klienti i tij është i sëmurë, pasi ka qenë i hospitalizuar, ndërsa sipas tij, momentalisht është i shtrirë në shtëpi duke marrë terapi mjekësore dhe së shpejti dalin rezultatet e analizave të bëra për të përcaktuar problemin.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, duke u bazuar në këto rrethana, ka anuluar seancat e parapara për 20, 21 dhe 22 qershor 2018.

Seanca e radhës, në këtë rast penal, do të mbahet më 16 gusht 2018, duke filluar nga ora 09:15, raporton betimiperdrejtesi.com

Ndryshe, Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.