Dështimet që mund ta rrëzojnë Qeverinë

Dështimi në procesin e liberalizimit të vizave, përplasjet brenda koalicionit qeverisës për dialogun me Serbinë dhe ngritja e aktakuzave nga Gjykata Speciale vlerësohen si tre përcaktuesit që mund ta rrëzojnë qeverinë “Haradinaj” dhe rrjedhimisht ta dërgojnë vendin në zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lajme

16/10/2018 07:59

Ndonëse ka më shumë se një vit jetë, Qeveria e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të jetë e pasigurt në funksionimin e saj.

Madje vlerësohet se shkas për rrëzimin e saj mund të bëhen pikërisht temat e mëdha, siç është dialogu me Serbinë, shtyrja eventuale e liberalizmit të vizave.

Përveç që tashmë janë dhënë sinjale se liberalizimi mund të mos përmbyllet deri vitin që vjen, kryeministri Haradinaj tashmë ka marrë alarmin nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, se shumë shpejt mund ta përfundojë punën si kryeministër, shkruan Zëri.

Ky “kërcënim” i presidentit ndaj shefit të ekzekutivit ka ardhur pas mospajtimeve të tyre lidhur me dialogun, respektivisht me idenë e Thaçit për korrigjim të kufirit me Serbinë.

Analistët politikë vlerësojnë se ngecja në këto procese të rëndësishme për vendin, si dhe aktivizimi i Gjykatës Speciale janë përcaktorë të mundshëm për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Megjithëkëtë, përfaqësuesit e pushtetit shprehen të sigurt se qeveria aktuale nuk do të rrëzohet.