Dështimet e BE-së dhe faturat e Kosovës

Sikur të 27 shtetet anëtare të BE-së, ta kishin njohur pavarësinë e Kosovës gjatë vitit 2008, gjë që do të duhej të ndodhte sikur BE të funksiononte si duhet, Kosova sot do t’i kishte punët ndryshe, shumë në ndryshe.

Opinion

22/07/2016 11:34

Duhet thënë të mbramën me të parën, në këto raste. Pra, Kosova si shtet, qytetarët e Kosovës, e paguajnë llogarinë e plotë të dështimeve, dhe kështu do të jetë edhe tash e tutje, edhe kur origjina e gabimeve të mëdha politike është vendore, pra, ka të bëjë me vet politikën kosovare, edhe atëherë kur ajo ndodhë në Bashkësinë Ndërkombëtare, në radhë të parë në Bashkimin Evropian.

Në fakt, ata që bëjnë gabime, në rastin e një shteti që akoma meriton të kualifikohet si shtet i ri, më së paku ndëshkohen, mos me thënë që nuk pësojnë fare.

Kosovarët nisën të mësojnë herët se çka është OKB-ja, çka BE-ja, si funksionon Pakti NATO, apo edhe çfarë bëjnë shtetet perëndimore veç e veç.

Nuk jemi në OKB, nuk do të hymë shpejt në BE, duket as në Paktin NATO jo (së shpejti), por kemi qenë dëshmitarë të mënyrës se si funksionojnë UNMIK-u, Administrata e tij që përfshinte edhe BE-në, dhe pse prania e KFOR-it  (Paktit NATO), ka qenë edhe mbetet jetike për Kosovën. Natyrisht, qytetarët e Kosovës dinë të jenë falënderues për të gjithë ndihmën ndërkombëtare që ka mbërri këtupari, veçmas në vitet e para të pasluftës. Ata kurrë nuk do të harrojnë rolin që e ka pasë SHBA-ja, dhe bashkë me te, shtetet më të mëdha evropiane, në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës. Për më shumë, ky rol mbetet jetik sot e kësaj dite për Kosovën.

Sidoqoftë, ne nuk arritëm të stabilizohemi si shtet, megjithëse së shpejti do ta shënojmë nëntëvjetorit e ekzistimit të Kosovës së pavarur, edhe për shkak të dështimit të Bashkimit Evropian për të përkrahur në mënyrë vendimtare bërjen e këtij shteti. Edhe pse në Samitin e fundvitit të BE-së, në dhjetorin e vitit 2007, të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së mbështetën Pakon e Presidentit Ahtisaari dhe krijimin e Misionit të EULEX-it, në vitin 2008 u mor vesh që pesë nga njëzeteshtatë shtetet anëtare të BE-së, nuk janë të gatshme të pranojnë shtetin më të ri evropian. Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ose janë ‘neutrale ndaj statusit’ të Kosovës  (një formulim tej mase paradoksal), ose janë kundërshtare të fuqishme të shtetit të Kosovës, siç është veçanërisht rasti me Spanjën. Paralajmërimet e mëhershme që dikush nga pesëshja jo-njohëse do ta ndërrojë mendjen pas këtyre apo atyre zgjedhjeve nacionale, pas kësaj apo asaj ngjarjeje në raportet e Kosovës me Serbinë  (duke përfshirë këtu edhe Marrëveshjen e Brukselit, të 19 prillit, 2013), dolën të pasakta. Nuk ka shenja që në të ardhmen e afërt do të ndryshojë diçka.

Sikur të 27 shtetet anëtare të BE-së, ta kishin njohur pavarësinë e Kosovës gjatë vitit 2008, gjë që do të duhej të ndodhte sikur BE të funksiononte si duhet, Kosova sot do t’i kishte punët ndryshe, shumë në ndryshe.

Serbia ka arritë të përfitojë politikisht shumë më tepër në vitet e kaluara, apo që prej se Kosova është bërë shtet, nga fakti që nuk ka pasë unitet në BE rreth Kosovës, se sa nga qëndrimi i njohur i Federatës së Rusisë që njohjen e Kosovës si shtet e ndërlidhë me një akt të tillë nga vetë Serbia. Kosova nuk mund të mbërrijë në OKB pa një abstenim (së paku), të Federatës së Rusisë kur kjo temë do të shqyrtohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Por diçka e tillë nuk do të ndikonte shumë në funksionimin e shtetit të Kosovës, si në brendinë e vet, ashtu edhe në rajon dhe në Evropë, sikur Kosova të njihej nga të gjitha shtetet e BE-së.

Kosova do të ecte më shpejtë në ndërmarrjen e integrimit të saj në BE. Tani do ta kishte marrë statusin e shtetit kandidat për BE. Edhe tema e Liberalizimit të vizave do të ishte harruar tash e disa vjet.

Çka është më kryesorja, bisedimet e Kosovës me Serbinë për normalizimin e marrëdhënive midis dy shteteve, me një BE unike në mbështetje të pavarësisë së Kosovës, do të kishin njëmend karakter teknik.

I janë shkaktuar pra, dëme të mëdha Kosovës, qëndrueshmërisë së saj si shtet, me mungesën e konsensusit ndër shtetet anëtare të BE-së, për vetë ekzistimin e shtetit të Kosovës.

Brenda tre-katër viteve, Kosova do të mbërri, edhe kështu si është, e lënduar nga të gjitha anët, tek situata kur do të duhej ta fitonte statusin e shtetit kandidat për të hyrë në BE. Atë status, natyrisht, nuk mund ta merr pa u njohur, në ndërkohë, nga Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania.

Gjasat që diçka e tillë të ndodhë, shikuar nga perspektiva e sotme, janë zero.

Ky është realiteti.

Ndërsa Kosova nuk ka alternativë tjetër pos të bëhet shtete anëtare e Paktit NATO dhe e BE-së.