Dështimet e mëdha të këtij sezoni në Evropë…

Dy kompeticionet më të rëndësishme të futbollit europian për klube, Champions dhe Europa League janë futur në fazën e tyre më të nxehtë, pasi sot u hodh edhe shorti i gjysmëfinaleve, por një lajm më vete përbën edhe dështimi për të triumfuar në këto kompeticione, i shumë pretendentëve.Nga milionat e Manchester Cityt dhe PSG-së, te trajnerët famëmëdhenj Mourinho e Guardiola, por edhe legjenda si Lionel Messi e Gigi Buffon, i kanë dhënë lamtumirën tashmë Champions Leagues.

Sport

13/04/2018 18:56

Kështu Paris Saint Germain ishte skuadra e parë pretendente, që i dha lamtumirën Championsit, pasi u eliminua në fazën e 1/8-ave nga kampionët në fuqi, Reali i Madridit. Francezët kanë bërë investime stratosferike, teksa vetëm në verën e kaluar u shpenzuan plot 400 milionë euro për të sjellë në Paris brazilianin Neymar dhe talentin e Monacos, Mbappe, të cilët besohej se do të ndihmonin PSG-në në rrugën drejt triumfit në Europë. Gjithsesi skuadra e Unay Emery zhgënjeu në të dy takimet me Realin, duke humbur 1-3 në Madrid dhe 1-2 në Paris.

Krahas PSG-së, surprizë mjaft e madhe ishte edhe eliminimi i Manchester Unitedit, pikërisht në fazën e 1/8-ave. “Djajtë e kuq” vinin pas triumfit në Europa League, edicionin e kaluar dhe nuk është se shikoheshin si pretendentë të fortë për të triumfuar në Champions, por eliminimi nga një skuadër modeste si Sevilla, ishte një befasi e vërtetë. Gjithashtu eliminimi i Manchester Unitedit tregoi edhe njëherë se sa larg triumfit në Champions është Jose Mourinho, që nuk triumfon në kompeticionin më të rëndësishëm për klube, që nga Maji i 2010-ës, me Interin. Ndonëse portugezi ka drejtuar skuadra si Reali i Madridit, Chelsea dhe tani Manchester United, që i ka plotësuar të gjitha dëshirat në merkato, për të provuar rikthimin te triumfi në Champions, do të duhet të presë sezonin e ardhshëm.

Më pas në fazën e çerekfinaleve ishte radha e Barcelonës që të eliminohej në mënyrë sa të befasishme, aq edhe të turpshme për një skuadër si katalanët, që pasi fituan 4-1 në ‘Camp Nou’, u mposhtë 3-0 në ‘Olimpico’ nga Roma, që në Europë duhet pranuar se është një skuadër modeste. Barça nuk triumfon në Champions që nga viti 2015, kur mposhti në finale Juventusin, me rezultatin 3-1 dhe ndryshe nga rivali i përjetshëm, Reali i Madridit që synon trofeun e 3-të radhazi, Messi me shokë për të 3-tin vit radhazi nuk arrijnë as në finale të këtij kompeticioni.

Krahas Barcelonës, një tjetër katalan, Pep Guardiola duket se e ka humbur afeksionin që kishte me Champions Leaguen. Pasi ngriti lart trofeun me Barçën, dy herë në 4 sezone, gjatë periudhës 2008-2012, spanjolli dështoi për t’u shpallur kampion Europe për klube, fillimisht te gjermanët e Bayern Munchen dhe për të dytin sezon radhazi me Manchester Cityn. Pas një forme të shkëlqyer në kampionat, ku ‘citizens’ dominojnë nga fillimi dhe kanë treguar një nivel të jashtëzakonshëm loje, pa oshilacione, u duk se ky mund të ishte sezoni i duhur për Guardiolën, që të synonte rikthimin te triumfi në Champions. Edhe investimet e kryera nga drejtuesit e klubit, në dy sezonet e fundit, dëshmonin qartë se prioriteti nuk ishte më thjesht kampionatin anglez, por Liga e më të fortëve. Gjithsesi skuadra e Guardiolës u dorëzua ndaj një Liverpooli spektakolar, që fitoi në të dy takimet, 3-0 në ‘Anfield Road’ dhe 1-2 në ‘Etihad Stadium’, duke befasuar të gjithë futboll-dashësit dhe duke rikthyer me këmbë në tokë yjet e Manchester Cityt.

Ky edicion i Champions Leagues rezultoi një zhgënjim edhe për Juventusin, që ndonëse dominon në kampionatin italian, me Europën duket se e ka humbur afeksionin prej kohësh. Shorti i çerekfinaleve i ofroi bardhezinjve Realin e Madridit, duke u dhënë mundësi të marrin edhe revanshin për finalen e humbur në sezonin e kaluar në Cardiff. Skuadra e Allegrit zhgënjeu totalisht në ndeshjen e parë, ku humbi 0-3, ndërsa në ‘Santiago Bernabeu’ arriti të rikthejë shpresat, që më pas u ‘vranë’ nga një 11-metërsh i akorduar nga arbitri Oliver 30 sekonda nga fundi i lojës, që u shndërrua në gol nga një Cristiano Ronaldo i pandalshëm. Protestat e shfrenuara të kapitenit legjendar të Juves, Gigi Buffon, ndaj arbitrit anglez pas akordimit të 11-metërshit, ishin një dëshmi e qartë e zhgënjimit të këtij të fundit, që duket se do t’i varë dorezat në gozhdë, pa ngritur më parë trofeun më të rëndësishëm për klube.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Europa Leaguen, ku austriakët e Salzburgut nxorën jashtë kompeticionit skuadra pretendente si Borusia Dortmund në fillim dhe italianët e Lazios mbrëmjen e të enjtes.

Gjermanët e Borusias së Dortmundit kishte një mundësi të mirë për të shpëtuar sezonin, por u eliminua që në fazën e 1/8-ave nga austriakët e Salzburgut, të cilët fituan 1-2 në ‘Signal Iduna Park’ dhe ruajtën një barazim pa gola në shtëpi.

Surpriza Salzburg vijoi edhe në fazën çerekfinale të këtij kompeticioni, pasi nxori jashtë italianët e Lazios, një skuadër që deri tani ka zhvilluar një kampionat mjaft të mirë. Bardhekaltrit fituan 4-2 në ‘Olimpico’ një javë më parë, por austriakët u kundërpërgjigjën me një fitore spektakolare 4-01 në takimin e kthimit, duke vulosur një kualifikim sa të befasishëm, aq edhe të bukur.

Milani i Gattusos ishte gjithashtu një skuadër që shikonte nëpërmjet triumfit në Europa League, një rrugë për të marrë pjesë në edicionin e ardhshëm të Championsit. Gjithsesi shorti ishte i pamëshirshëm me kuqezinjtë, që gjetën përballë Arsenalin që në fazën e 1/8-ave. Londinezët arritën të fitojnë në të dy takimet me rezultatin e përgjithshëm 5-1 dhe të avancojnë më tej, ndërsa Milani u kthye me këmbë në tokë dhe po përqendrohet në kampionat dhe Kupën e Italisë./SuperSport/