Dëshmorët e UÇK-së rivarrosen në komplekse të reja memoriale

Qeveria e Kosovës po kryen varrimin rishtas të luftëtarëve të vrarë të UÇK në një kompleks të ri përkujtimor - por ndërsa shumë familje e kanë mirëpritur këtë, procesi është shoqëruar me mosmarrëveshje për vendin e zhvendosjes së eshtrave të disave.

Lajme

21/08/2018 11:36

Gjatë dy dekadave të fundit, eshtrat e Sadik Kaçkinit janë varrosur tri herë dhe aktualisht emri i tij shfaqet në tre varre në tre vende të ndryshme.

Kaçkini vdiq më 5 mars 1998, në moshën 44 vjeçare, kur forcat serbe rrethuan shtëpinë e familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, në Prekaz dhe vranë atë dhe më shumë se 50 të afërm të tij, përfshirë gra dhe fëmijë.

Pesë vitet e para, trupi i tij ishte në Prekaz. Pastaj familja e tij vendosi t’i merrte eshtrat dhe t’i varroste në fshatin e tij Llaushë të Skenderajt.

Pas 14 vjetësh, eshtrat e Kaçkinit janë rigrumbulluar përsëri tani në një kompleks ‘të ri të martirëve’ që është ndërtuar në fshatin Marine, rreth dhjetë kilometra larg Skenderajt, pasi qeveria vendosi që luftëtarët e UÇK-së të vrarë gjatë luftës duhet të varrosen në një sërë vendesh përkujtimore kolektive.

“Çdo rivarrim ngjante si një vdekje tjetër. Është shumë e rëndë,” tha për BIRN e veja e tij Zelfije në një ditë me diell korriku pasi u kthye nga Gjermania dhe shkoi të vizitonte dhe pastronte varrin e tij.

Ditën kur Kaçkini u rivarros në kompleksin Marine, e veja e tij nuk mund të merrte pjesë sepse familja nuk ishte informuar. Pas një jave, ajo e pati të vështirë të gjente varrin e bashkëshortit për shkak të mungesës së emrave mbi gurë dhe rendit alfabetik të varrezave.

Varri i bashkëshortit të saj mban numrin 30, të shkruar me një stilolaps dhe guri i varrit është me baltë.

Pas pastrimit të pllakës, Zelfija vendos një varg lulesh plastike mbi të.

“Është më mirë që dëshmorët janë varrosur në të njëjtin vend, por duhet të kenë emrat e tyre në varret e renditura [për të treguar] se kush është aty”, thotë ajo.

600 rivarrime të planifikuara

Kompleksi Memorial në Marinë, Skenderaj

Përveç Sadik Kaçkinit, eshtrat e 130 luftëtarëve të tjerë të UÇK-së nga Drenica, rajoni në të cilin rezistenca e armatosur e shqiptarëve të Kosovës ishte më e theksuar, janë rivarrosur në kompleksin Marine deri më tani.

Adnan Elshani, anëtar i këshillit qeveritar të ngarkuar me rivarrimin e guerrilasve të vdekur, thotë se rreth 600 nga më shumë se 2,500 luftëtarë të UÇK-së që vdiqën gjatë luftës do të rivarrosen në varreza kolektive.

Por ideja e qeverisë për të rivarrosur luftëtarët e vdekur të UÇK në një kompleks të vetëm është refuzuar nga shumë familjarë të tyre, të cilët nuk duan që të dashurit e tyre të rivarrosen. Këshilli qeveritar po mendon aktualisht për rivarrime në komunat e tyre përkatëse.

Procesi është vonuar gjithashtu nga një kërkesë tjetër e familjeve që të afërmit të rivarrosen pranë njëri-tjetrit.

Luljeta Shala nga Drenasi u vra në një dyluftim me forcat serbe së bashku me të fejuarin e saj, Hysen Bujupi, pranë kufirit me Shqipërinë ndërsa transportonin armë dhe municione në Kosovë.

“Si familje, kemi kërkuar nga komuna që Luljeta dhe Hyseni të varrosen pranë njëri-tjetrit sepse ata luftuan dhe vdiqën së bashku. Komuna e ka respektuar kërkesën tonë,” tha babai i Shalës, Jahiri.

Këto këmbëngulje e bënë këshillin të thyejë rregullin e rendit alfabetik që kishte parashikuar për varret.

Adnan Elshani, i cili përfaqëson Agjencinë qeveritare për Menaxhimin e Komplekseve Memorialë, thotë se deri më tani janë rivarrosur luftëtarët e vdekur në tre nga shtatë zona operacionale të UÇK-së.

“Kemi planifikuar të rivarrosim më shumë se 600 dëshmorë. Dyqind e pesëdhjetë e shtatë në Marinë [në zonën e Drenicës], 168 afër Podujevës [në zonën e Llapit] dhe 114 në Koshare [afër kufirit shqiptar]. Presim rivarrimin e 64 eshtrave të tjera në komunën e Istogut “, tha Elshani për BIRN.

Ai shtoi se pritet që i gjithë procesi të përfundojë gjatë muajit gusht.

“Komplekset e Përkujtimit do të ruajnë vende për ata që janë në listat e dëshmorëve, por ende mungojnë,” shtoi ai.

Memorialet e vjetra të paprekura

Kompleksi Memorial në Marinë, Skenderaj

Në pjesën më të madhe të zhvarrimeve, kompanitë e kontraktuara i lënë pllakat e varreve në vend dhe kanë marrë vetëm eshtrat. Si rezultat, disa luftëtarë të vdekur kanë tre varre të ndryshme.

“Pllakat ose monumentet e ngritura më herët, në vendet e tyre të lindjes apo në vendet ku u vranë, nuk do të preken”, shpjegoi Elshani.

Shoqatat e UÇK-së nuk kanë rënë ende dakord për rivarrimin e disa prej të vrarëve. Ata kanë kërkuar të paktën pesë vende përkujtimore në Kosovë.

“Nuk është ende e qartë se çfarë do të ndodhë me komplekset e reja përkujtimore. Mendoj se ideja e rivarrimit duhet të ishte planifikuar më mirë dhe duhet të ishte marrë miratimi i familjeve”, tha për BIRN Xhavit Jashari, kreu i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.

Sipas Jasharit, ideja e rivarrosjes së të vdekurve në komunat e tyre është shumë e ndërlikuar.

“Nuk është ide e mirë nëse emri i një martiri mbetet në dy ose tre përkujtimore,” shtoi ai.

Listat e luftëtarëve të vdekur dhe të veteranëve të luftës kanë qenë një nga çështjet më të kontestuara në vitet e fundit në Kosovë, shoqëruar me pretendime se listat janë fryrë në mënyrë të paligjshme ose për qëllime politike ose për shkak të përpjekjeve të rreme për të kërkuar përfitimet e veteranëve.

Në kompleksin e ri përkujtimor në fshatin Marine, Zelfije Kaçkini shprehet se një gjë është më e rëndësishme se çdo mosmarrëveshje – të kujtohen ata që vdiqën duke luftuar për UÇK-në.

“Ata kanë rënë për të mirën e vendit të tyre dhe kjo duhet respektuar”, tha ajo.