Dëshmitarja: Naser Kelmendi ia dorëzoi paratë vrasësit të Ramiz Delaliqit

Shela Turkoviq ka thënë në gjykatë se ishte e pranishme në takimin ku Naser Kelmendi bashkë me Fahrudin Radonçiqin e Ekrem Lekiqin kishin mbledhur paratë për të paguar vrasësin e Ramiz Delaliqit.

Lajme

19/03/2015 08:08

Turkoviq është dëshmitare e Prokurorisë dhe është nën mbrojtje të policisë për më shumë se një vit, shkruan sot Koha Ditore.

Në kohën kur kishte ndodhur vrasja, në vitin 2007, ajo punonte si prezantuese dhe gazetare në “Dnevni Avaz”.

Në aktakuzën boshnjake përmendet si pjesë e bandës së Kelmendit.

Është po ashtu gruaja e Zijad Turkoviqit, një kriminel i dënuar në Bosnjë me 45 vjet burgim.

Ai kishte thënë në gjykim se kishte provuar ta vriste Naser Kelmendin.

Gjatë dëshmisë të mërkurën, Shela Turkoviq ka thënë se derisa punonte në “Dnevni Abaz” ishte në njëfarë mënyre “dora e djathtë” e Radonçiqit dhe kishte marrë pjesë thuajse në secilin takim të rëndësishëm të tij me persona të ndryshëm.

Ajo ka përmendur para trupit gjykues shumë detaje rreth organizimit të vrasjes së Delaliqit. Madje, ajo ka thënë se ishte Kelmendi ai që bashkë me një person tjetër, Naser Oriqi, ia kanë dorëzuar vrasësit të Delaliqit 100 mijë euro.

Megjithëse nuk i kujtohej dita e saktë, Turkoviqi ka thënë se në atë takim ishin prezentë Kelmendi, Radonçiqi, si dhe Ekrem Lekiqi. Aty secili është dashur të dorëzojë pjesën e vet të parave, pasi që e kishin ndarë në tri pjesë.

“Takimi është mbajtur në restorantin ‘Radon Pllaza’, pronë e Radonçiqit. Naseri e ka pasur një çantë me ngjyrë të zezë në të cilën pak më vonë kuptova se aty kishte para dhe disa letra. Më pastaj Lekqi i është drejtuar atij dhe ia ka dhënë pjesën e vet. Njësoj edhe Radonçiqi ia ka dorëzuar pjesën që i takonte. Kelmendi i ka bërë bashkë dhe i ka futur në çantë”, ka thënë ajo.

Naser Kelmendi
Naser Kelmendi