Dëshmitarja: E kam parë Ivanoviqin në uniformë të policisë

Sot në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, në veri të këtij qyteti, ka vazhduar gjykimi kundër Oliver Ivanoviqit dhe katër të akuzuarve të tjerë, që akuzohen për krime lufte ndaj shqiptarëve.

Lajme

07/05/2015 14:38

Në seancën e sotme ka dhënë dëshminë e saj Besa Sokoli, e cila ka rrëfyer për ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

Ajo tha se natën kritike bashkë me të gjithë anëtarët e familjes ka qenë në banesën e saj në veri.

Sipas dëshmitares Sokoli, natën e 3 shkurtit pas orës 19:00 kishte dëgjuar zhurma njerëzish, por edhe sirena të autoambulancave duke shkuar në spitalin e qytetit që ndodhej në veri.

“Situata e përgjithshme ka qenë e tmerrshme, ka pasur shumë njerëz nëpër rrugë, ndërsa mësuam se ishin vrarë burrë e grua shqiptarë me mbiemrin Voca”, ka thënë dëshmitarja Sokoli.

Ajo bëri të ditur se atë natë grupe serbësh kanë hyrë të armatosur nëpër ndërtesa të ndryshme, duke shtënë me armë nëpër dyert e banesave të shqiptarëve.

Dëshmitarja ka rrëfyer edhe për përjetimin rreth vrasjes së kunatit të saj, Muharrem Sokoli.

“Atë natë ka ardhur një serb në derën tonë dhe na ka informuar se kunata ime, Gjyla Sokoli, e ka dërguar atë të na njoftojë për vrasjen e bashkëshortit të saj, Muharrem Sokoli, njëherësh vëllait të burrit tim. Me të kuptuar lajmin, unë bashkë me bashkëshortin tim kemi shkuar në banesën e kunatit. Kemi parë anëtarët e familjes të jenë jashtëzakonisht të shqetësuar, por kemi parë edhe të vrarë, në mesin e të cilëve ishte edhe Muharremi. Nuk e kam njohur kufomën prej shkatërrimit që i ishte bërë, ndërsa kunata Gjyla na ka treguar se kanë hyrë disa serbë dhunshëm në banesën e tyre dhe me thikë e kanë vrarë Muharremin. Pastaj ia kanë vënë një granatë në trup nga e cila ishte shkatërruar i tërë trupi pjesë pjesë”, rrëfeu Sokoli.

Në lidhje me të akuzuarin Oliver Ivanoviq, ajo tha se e ka parë njëherë pak para fillimit të bombardimeve të NATO-s në uniformë të policisë, dhe jo asnjëherë tjetër.

Ndërkaq sa i përket të akuzuarve tjerë, ajo shtoi se nuk i njeh asnjërin prej tyre.

Avokati i Ivanoviqit, Nebojsha Vllajiq, tha për Kosovapress se dëshmitarët të cilët po i sjellë prokurori nuk kanë të bëjnë fare me ngjarjet dhe e tërë kjo është vetëm humbje kohe.

“Prokurori çdo ditë sjell dëshmitarë të cilët nuk kanë fare të bëjnë me ngjarjet dhe të cilët në asnjë mënyrë nuk vërtetojnë aktakuzën e tij. Kështu që unë jam i sigurt se aktakuzat e tij me secilin dëshmitarë që vie është gjithnjë e më e zbehtë. Ndërsa, sa i përket faktit se dëshmitarja e ka parë klientin tim në uniformë, kjo nuk do të thotë asgjë, ngase askush nuk jep përgjegjësi pse ka qenë në uniformë, por për veprimet që ka bërë”, ka thënë Vllajiq.

Seanca do të vazhdojë në ora 14:00, ndërsa dëshmitari i radhës do të jetë Rrahim Nimani.