Dëshiron dialog produktiv

Dacic thotë se respektoi marrëveshjen dhe nuk mori pjesë në fushatë derisa qëndroi në Kosovë. Ai tregoi se i ka propozuar Kryeministrit Thaçi një projekt për rrugë, si dhe ndërtimin e një lapidari të përbashkët të viktimave të luftës.

Lajme

19/10/2013 19:11

Kryeministri Ivica Dacic i ka bërë një interpretim normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ka thënë se Ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku, ka qenë në Beograd dhe ka lëvizur lirshëm nëpër kryeqytetin serb.

Sipas tij, ky është “normalizim”.

Dacic i ka quajtur të pakuptimta tentativat e Prishtinës zyrtare për ndalimin e vizitave në Kosovë, ndërsa ka pohuar ta ketë respektuar gjatë vizitës në Kosovë atë që janë marrë vesh në Bruksel, duke mos marrë pjesë në fushata zgjedhore të partive politike serbe.

“Ta them atë se Vlora Çitaku ka qenë lirshëm në Beograd dhe ka shëtitur nëpër Beograd. Dëshirojmë normalizimin e marrëdhënieve, apo jo?”

“Unë e kam zbatuar atë që jemi marrë vesh, kam qëndruar në Manastir, nuk kam dashur të marrë pjesë në ndonjë fushatë parazgjedhore.”

“Gjithsesi, ne dëshirojmë që ky dialog me Prishtinën të jetë produktiv, dëshirojmë një jetë përbashkët, të qetë”.

“Rreth pyetjes për statusin, për këtë nuk jemi marrë vesh. Serbia nuk e ndërron qëndrimin e saj për Kosovë dhe Metohi. Ne, Kosovën nuk e pranojmë si shtet, por e konsiderojmë si territor i veçantë i definuar më Rezolutën 1244”.

Ivica Dacic, po ashtu, ka deklaruar se në takimet në Bruksel me Kryeministrin Hashim Thaçi, ka propozuar të bëhet një projekti i rrugës si ai Nish-Prishtinë, për gazsjellës, për linjën hekurudhore. Ai është shprehur optimist se do të ketë marrëveshje lidhur me këtë çështje.

Ai ka thënë se nuk do të ketë ‘Republika Srpska’ në veri të Mitrovicës, duke treguar se për këtë çështje tashmë janë marrë vesh në Bruksel.

Dacic ka deklaruar se Qeveria e Serbisë i ka ikur institucioneve paralele në atë pjesë të Kosovës dhe sipas tij serbëve në atë pjesë u duhen institucionet e Kosovës që janë – Bashkësia e Komunave Serbe.

I pyetur nëse është i gatshëm të kërkojë falje për krimet në Kosovë, ai ka përmendur rastet e Bosnjes e Kroacisë, duke thënë se është problem të definohet se kush ka qenë viktima.

Dacic, po ashtu, ka treguar se i ka propozuar Kryeministrit Thaçi që ta bëjnë një përmendore të përbashkët, edhe në pjesën serbe dhe shqiptare, për viktimat e luftës së fundit