Deshën të më likuidonin

Krstimir Pantiq ka thënë se nxitësit e sulmit të mbrëmshëm kundër tij janë partitë, të cilat kërkojnë bojkotimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Lajme

02/11/2013 14:05

Kandidati për kryetar të veriut të Mitrovicës, Krstimir Pantiq, ka thënë se sulmi i mbrëmshëm kundër tij, ka pasur për qëllim likuidimin fizik të tij.

Ai ka thënë se dëshiron të besojë se ky do të jetë sulmi i fundit i motivuar politikisht mbi serbët e Mitrovicës.

Në një konferencë për gazetarë në Kuvendin e Serbisë, Pantiq ka thënë se nxitësit e sulmit janë partitë, të cilat kërkojnë bojkotimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Ai u ka bërë thirrje serbëve që nesër, në ditën e zgjedhjeve, të dëshmojnë besnikëri ndaj shtetit dhe Qeverisë së Serbisë dhe të sigurojnë formimin e Asociaconit të komunave serbe.

Ky mekanizëm parashihet me Marrëveshjen e 19 prillit midis Kosovës dhe Serbisë dhe do të dalë nga zgjedhjet lokale, që për herë të parë do të mbahen në gjithë territorin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se sulmi ndaj Pantiqit, është sulm në shtetin e Serbisë.

“I bëj thirrje shtetit që të reagojë seriozisht dhe të mos lejojë që incidentet e tilla të ndodhin sërish”, ka thënë Stefanoviq.

Në konferencën për gazetarë ka marrë pjesë edhe ministri pa portofol në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, i cili po ashtu ka thënë se sulmi mbi Pantiqin është sulm në shtetin dhe Qeverinë e Serbisë.

Pantiq, kandidat i Iniciativës Qytetare Serbe, është sulmuar mbrëmë nga persona të maskuar në veri të Mitrovicës. (REL)