Deri më 2025, një në pesë persona në botë do të jetë obez

Kombet e Bashkuara në dekadën e ardhshme kanë për qëllim ta ndalojnë obesitetin, por sipas një studimi të ri të publikuar në revistën mjekësore The Lancet, nuk ka shpresë se kjo do të ndodhë.

Lifestyle

19/09/2017 21:00

Studiuesit zbuluan se një e pesta e të rriturve deri në vitin 2025 do të jenë obesë. Për krahasim, në vitin 2014, një në tetë persona në botë ishte obez.

“Në 40 vitet e fundit, ne kemi kaluar nga një botë në të cilën gjysma e njerëzve në botë janë të kequshqyer në një botë në të cilën kemi më shumë njerëz obesë”, tha Majid Ezzati për Guardian, udhëheqësi i studimit nga Imperial College London. Dhe derisa numri i njerëzve të kequshqyer në botë është reduktuar, rritja e obesitetit gjithsesi nuk është diçka me të cilën duhet të krenohemi.

Pothuajse 120 milionë të rritur obezë jetojnë në vendet e pasura perëndimore – Australi, Kanada, Irlandë, Zelandë të Re, Britani dhe Shtetet e Bashkuara, edhe në këto vende është shënuar numri më i madh i njerëzve obesë, transmeton Koha.net. Pas tyre, pasojnë vendet e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut. Shumë nutrologë dhe punëtorë shëndetësorë për këtë e fajësojnë mënyrën e të ushqyerit, e cila është e pasur me ushqim të shpejtë, karbohidrate të përpunuara, produkte industriale, sheqerna dhe yndyra.

Dhe derisa Perëndimi lufton me obesitetin, situata në Afrikën subsahariane dhe pjesët e Azisë është e kundërt, ku problemi i kequshqyerjes atje vazhdon për dekada të tëra. Për shembull, në Burundi, vetëm më pak se 1 për qind e meshkujve janë obesë.

Çuditërisht, hulumtuesit në përfundim të studimit nuk cekin se duhet punuar në trajtimin e obesitetit si një problem global në botë, por më tepër në zgjidhjen e problemit të kequshqyerjes për ta zvogëluar shkallën e vdekshmërisë në vendet e varfra. /Lajmi.net/