Deri më 2020, Kosova do të përfitojë 500 milionë euro nga IPA

Gjatë periudhës 2014-2020, Bashkimi Evropian do të ofrojë afro 500 milionë euro asistencë për Kosovën, u tha të mërkurën në takimin nismëtar për programin e Instrumentit të Para Anëtarësimit (IPA) që u zhvillua nën organizimin e Ministrisë së Integrimit Evropian. 

Lajme

23/04/2014 20:09

Strategjia Kombëtarë për Asistencën e BE-së për periudhën 2014-2020 ka identifikuar gjashtë prioritete kyçe për Kosovën: sundimin e ligjit dhe të drejtat fondamentale, reformën e administratës publike, energjinë, konkurrencën dhe inovacionin, punësimin e politikat sociale dhe bujqësinë dhe sigurinë e ushqimit.

Ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku tha se Kosova është në fazën finale të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit dhe përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave.

Sipas saj, 500 milionë euro mund të duken shumë, por në fakt janë një shumë e vogël krahasuar me nevojat e vendit tonë. \”Prandaj, shpenzimi i këtyre mjeteve duhet bërë në koordinim të plotë me buxhetin e Republikës së Kosovës dhe donacionet e tjera të partnerëve ndërkombëtarë”, tha ministrja Çitaku.

Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar tha se strategjia Kombëtare për Asistencën e BE-së, e zhvilluar së bashku me Qeverinë e Kosovës, ofron një kornizë për ndihmën tonë për shtatë vjetët e ardhshëm deri në fund të vitit 2020.