Dërguti: Vetëm 6 deputetë të opozitës nuk janë në listën e të suspenduarve nga seanca

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Aida Dërguti ka thënë se edhe emri i saj është në listën e të suspenduarve, ndërkaq vetëm gjashtë prej deputetëve të opozitës nuk janë suspenduar nga seanca.

Lajme

14/12/2015 13:35

Sipas saj, ky vendim është i kundërligjshëm. Ajo thotë se është i mundshëm suspendimi i ndonjë deputetit, por vetëm gjatë seancës.

“Po aq sa gazi lotsjellës edhe vendimi i kryesisë është i kundërligjshëm”

“U lexuan emrat e shumicës së deputetëve të opozitës të cilët u suspenduan nga seanca, në përjashtim të 6 prej tyre”

Sipas saj, vetëm Besa Baftiu, Ilir Deda, Faton Topalli, Fisnik Ismaili dhe një deputet tjetër i NISMA-s nuk janë në listën e të suspenduarve.

“Ky vendim është përsëri i kundërligjshëm. Në bazë të rregullores është e mundshme që një apo më shumë deputetë mund të përjashtohen nga seanca, por ai vendim merret në seancë”, tha Dërguti.

Ajo më tutje tregon se nuk e kupton arsyen se pse është e suspenduar dhe se ajo së bashku me deputetët tjerë të opozitës qëndrojnë prapa vendimeve të tyre brenda kuvendit.

“Nuk e di pse jam suspenduar, por gjithë deputetët e opozitës qëndrojnë prapa vendimeve të tyre brenda në Kuvend, të gjitha bëhen për një qëllim”, ka thënë Dërguti.

Ajo ka kërkuar reflektim të qeverisë në mënyrë që të tejkalohet kriza në vend.

“Në këto rrethana kur ne insistojmë që të tërhiqen këto marrëveshje, dhe kur qeveria nuk ka mundësi që t’i tërheq ato por kthehet e bën presion mbi neve që të mbahen seancat më çdo kusht duke thënë se gjithçka është normale, në kohën kur ka një krizë e rëndë në vend”, porositi Dërguti

Ajo konfirmoi se deputetët e opozitës edhe përkundër suspendimit do të vazhdojnë të qëndrojnë në sallën e Kuvendit të Kosovës.

“Këtu do të qëndrojmë gjatë gjithë ditës, ku do që do të mbahet seanca”, përfundoi Dërguti.