Derbi i Milanos, Spalletti zbulon formacionin, Gattuso ka ende dyshime

Milan dhe Inter takohen të mërkurën, në ndeshjen e mbetur nga Serie A.

Sport

03/04/2018 07:51

Pas shtyrjes, por edhe një sërë debatesh mbi caktimin e datës dhe kompensimin e tifozëve, më në fund derbi i Madonninës mes Milanit dhe Interit do të luhet të mërkurën në orën 18:30.

Të dy skuadrat zhvilluan sot përgatitjet në prag të derbit dhe trajnerët respektivë duket se kanë fuilluar të qartësohen në lidhje me 11-shen që do të hedhin në fushë.

Më i qartë natyrisht që duket Spalletti, i cili ka gjithë grupin në dispozicion dhe me shumë gjasa do të konfirmojë formacionin e 3 javëve të fundit, që ka rikthyer zikaltrit te rezultatet pozitive dhe loja bindëse.

I vetmi dyshim në mendjen e teknikut zikaltër është krahu i djathtë i sulmit, ku Yann Karamoh duket se po shikohet me prioritet, për t’u hedhur nga fusha që nga minuta e parë.

Edhe Candreva po kalon një moment të mirë në planin fizik, por mungesa e gjatë e golit dhe asisteve, ka bërë që anësori italian të humbë qetësinë, çka u vërejt edhe në takimin e të shtunës në Verona.

Një tjetër arsye pse Spalletti kërkon t’i besojë djaloshit francez, lidhet me shpejtësinë e tij, që mund të ishte efektive ndaj zviceranit Rodriguez që nuk po kalon një moment aspak të mirë. Me Karamoh në fushë, por edhe Cancelon e konfirmuar në të djathtë, Spalletti synon të limitojë daljet në sulm të turkut Calhanoglu, që mund të kërcënojë me goditjet nga distanca.

Në kampin kuqezi, Gattuso pritet të rikthejë titullar Cutronen, që e la pushim në Torino, për ta pasur të freskët në këtë takim. Pjesa tjetër e skuadrës pritet të mos ndryshojë, ndërsa dyshimi i vetëm dhe më i madh në mendjen e Gattusos lidhet me zëvendësuesin e Lucas Biglias.

Argjentinasi plotësoi numrin e kartonëve ndaj Juventusit dhe nuk do të jetë i gatshëm për derbin, ndërsa Montolivo duket favorit para Locatellit, për një fanellë titullari, tranmeton “Super Sport”.

Ajo që bie në sy te skuadra e Gattusos, është mungesa e alternativave, pasi përveç 11-shes së suksesshme, lojtarët e ardhur nga stoli asnjëherë nuk kanë bindur. Përjashtim këtu bën vetëm portugezi Andre Silva, që ka ardhur nga pankina dhe ka shënuar në dy takime të ndryshme, duke i dhënë 3 pikët Milanit.

Milan: Donnarumma: Bonucci, Romagnoli, Rodriguez, Calabria; Kessie, Montolivo(Locatelli), Bonaventura; Calhanoglu, Suso, Cutrone
Inter: Handanoviç; Skriniar, Miranda, Cancelo, D’ambrosio, Brozoviç, Gagliardini; Candreva (Karamoh), Rafinha, Perisiç; Icardi.