Deputetit të VV-së i pengon kërkesa për vendosjen e flamurit të Kosovës te “Rrethi”

Deputetit të Lëvizjes Vetëvendosjes, Xhelal Sveçla, nuk po i pëlqen ideja e vendosjes së flamurit të Kosovës në hapësirën te "Rrethi", në hyrje të Prishtinës.

Lajme

12/02/2018 21:54

Sveçla, partia e të cilit vite më parë ka hequr flamurin e Kosovës nga ai vend, për ta zëvendësuar me flamurin e Shqipërisë, ka thënë se aktivistë të Partisë Demokratike të Kosovës qëndrojnë prapa kërkesës për vendosjen e flamurit shtetëror të Kosovës në hapësirën te “Rrethi”, në hyrje të Prishtinës.

Ai i ka ftuar ata që të mos merren me flamuj, “por me problemet që partia e tyre i ka shkaktuar vendit”.

Sveçla në Facebook ka bërë pyetje se përse këta iniciues nuk kanë nisur peticion për bashkimin e Mitrovicës apo edhe për të luftuar korrupsionin.

“A nuk është mirë që aktivistët e PDK në vend se të ndërmarrin iniciativa për heqjen e flamurit kombëtar, ta bëjnë një peticion për bashkimin e Mitrovicës? Ose një peticion për të luftuar korrupsionin? Ose një peticion për të pasur drejtësi funksionale në gjykata? Ose një peticion për ta ndalur vjedhjen e pasurisë së përbashkët me privatizime të dyshimta e shkatërruese? Pse merreni me flamuj, 1 milion probleme më të mëdha se flamujt i keni bërë në 10 vjet shtet”, ka shkruar ai në Facebook.

Sot u vendos nga Zyra e Prokollit që flamuri shtetëror të vendoset pranë atij kombëtar, ndërsa ka thirrje nga një faqe në Facebook që të mbrohet flamuri kombëtar dhe të mos lejohet afër tij vendosja e asnjë flamuri.