Deputeti sulmon Policinë e Kosovës

Deputeti serb i Kuvendit të Kosovës, Sasa Djokic, u shoqërua dje në Polici pasi sulmoi pjesëtarët e Policisë së Kosovës në afërsi të Graçanicës. Policia konfirmon incidentin.

Lajme

04/12/2013 13:20

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga Partia Social Demokrate Serbe, Sasa Djokic, ka sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës në afërsi të Graçanicës.

Incidenti ka ndodhur dje, ndërsa rrethanat për rastin mbeten ende të pasqaruara.

Burime të lajmi.net bëjnë të ditur se pas këtij rasti, Djokic është shoqëruar në polici ku është marrë në pyetje.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë konfirmuar këtë incident

“Është e vërtetë se ka ndodhur një incident dhe i dyshuari është shoqëruar në Polici. Për këtë rast është konsultuar edhe Prokurori”, ka thënë një zyrtar nga Policia e Kosovës për lajmi.net.

Ky nuk është rasti i parë kur Djokic përfundon në Polici.

Para një muaji, ai kishte kërcënuar një rojtar shqiptar të një ndërmarrjeje në periferi të Prishtinës duke e ofenduar atë në baza etnike.

Për shkak të këtij sulmi, ai ishte arrestuar, por ishte liruar pas.