lajmi.net

Deputeti i VV-së, Sami Kurteshi nuk ia kthen telefonin dhe iPadin Zyrës së Avokatit të Popullit

Ish-Avokati i Popullit, tani deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, i ka mbetur borxh institucionit të cilin ai e drejtoi deri para një kohe.

Lajme

04/07/2018 19:01

Sami Kurteshi, që udhëhiqte me institucionin e Avokatit të Popullit, kishte poseduar edhe një telefon të mençur (Smart phone) dhe një Ipad. Mirëpo Kurteshi edhe pas përfundimit të mandatit, nuk i ka kthyer këto pajisje, të cilat i përkasin institucionit të Avokatit të Popullit.

Madje, Kurteshi ka vendosur ti neglizhoj kërkesat e ish kolegëve të tij, të cilët duke u bazuar në ligjet në fuqi, i kishin kërkuar atij që t’i kthej pajisjet.

Ai nuk iu kishte përgjigjur, duke mos i kthyer këto pajisje.

Këtë e kanë konfirmuar për Kallxo.com zyra për informim e Avokatit të Popullit.

“Pas përfundimit të mandatit z. Kurteshi, është njoftuar për obligimin  e kthimit të pajisjeve, me të cilat ka qenë i ngarkuar (smart-phone-in dhe IPad), por të cilat nuk i janë kthyer ende. Institucioni në përputhje me procedurat e paraparë e ka përkujtuar z. Kurteshi lidhur me detyrimet që ka për të njëjtat”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së Avokatit të Popullit.

Deputeti Kurteshi pranoi që nuk i ka kthyer këto pajise. Madje ai tha se as nuk e ka ndërmend t’i kthej.

“Kanë kërkuar, unë i kam treguar drejtorit ekzekutiv edhe ato si kam ndërmend me i kthye sepse ato unë i kam përdorë për shumë kohë edhe kam shumë të dhëna. Ju kam thënë që i paguaj, le të shohim vitin e përdorimit, çfarë çmimi kanë edhe i paguaj, por për shkak të dhënave që janë aty dhe unë mendoj që s’bon me i lanë në dorë të secilit dhe duhet me shku me këqyrë tash”, tha Kurteshi për Kallxo.com

Megjithatë kanë kaluar afër 3 vite prej kur Kurteshi ka përfunduar mandatin e tij si avokat i popullit.

“Nuk është hapur kurrë ajo çështje”, tha Kurteshi kur u pyet se pse nuk i ka paguar deri më tani.

Edhe pse këto pajisje janë blerë për nevoja zyrtare, Kurteshi thotë se e ka përdorur edhe për nevoja personale, andaj për shkak të të dhënave, nuk do e kthej.

“Ju kam thënë që nuk i kthej për shkak të mbrojtjes së dhënave personale se ato edhe me i fshi, krejt ato të dhëna mund të nxjerrën, sepse unë i kam përdorë edhe për nevoja zyrtare edhe ato personale sepse janë dy gjëra që përdoren vazhdimisht”, tha tutje Kurteshi.

Ai thotë se telefoni tash është jashtë përdorimit, ndërsa iPadin pohon se vazhdon ta përdorë ende.

Kurteshi ka shërbyer si Avokat i Popullit në Republikën e Kosovës nga viti 2009 deri në vitin 2015.

Ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare Kurteshi u zgjodh deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai kishte qenë edhe kandidat për Kryetar të Komunës së Gjilanit në zgjedhjet e fundit lokale, mirëpo në balotazh nuk arriti të marrë më shumë vota se kryetari aktual, Lutfi Haziri.

LM