Deputeti i PS: Lista e AKEP për portalet e paregjistruara, ishte e pasaktë

Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli e ka cilësuar jo të drejtë këtë renditje nga ana e një institucioni shtetëror.

Lajme

16/10/2018 14:25

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) publikoi ditën e djeshme një njoftim ku ishin listuar disa portale ‘online’, të cilave u ishte lënë 72 orë kohë për të publikuar niptin në faqen e tyre ose të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), përndryshe rrezikojnë të mbyllen.

Në listën e AKEP ishin renditur disa portale me ndikim në vend, ndërsa shumë prej tyre reaguan duke hedhur poshtë pretendimin e AKEP se nuk janë regjistruara në QKB.

Deputeti i Partisë Socialiste, Fidel Ylli e ka cilësuar jo të drejtë këtë renditje nga ana e një institucioni shtetëror.

I ftuar në emisionin e mëngjesit në In Tv, deputeti e pranon që AKEP gaboi në renditjen e portaleve që rrezikojnë të mbyllen.

“Në fakt, mendoj se lista ishte e pasaktë, por pavarësisht gabimit të institucionit që i publikoi mendoj se kjo situatë duhet të rregullohet. Media është pushteti i katërt dhe të nesërmen të rrëzon.  Nuk mund të hapësh një portal ti dhe të sajosh çfarë të duash”, u shpreh deputeti socialist.