Deputeti i pavarur Stojanoviq kërkon nga Thaçi të heqë dorë nga FAK

Deputeti i pavarur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, Milivoje Stojanoviq tha të dielën se Kosovës askush në rajon nuk i kërcënohet dhe se sigurinë në vednm e garantojnë KFOR-i dhe EULEX-i, andaj e fton kryeministrin Hashim Thaçi që të tërheqë nga rendi i ditës amendamentet kushtetuese dhe Projektligjin për transformimin e FSK-së në FAK. 

Lajme

04/05/2014 13:39

Stojanoviq i deklaroi agjencisë serbe të lajmeve Beta që në mbledhjen e parlamentit të Kosovës, që është caktuar të mbahet më 5 maj, është paraparë të shqyrtohen amendamentet në Kushtetutën e Kosovës, si dhe projektligji për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcat e Armatosura të Kosovës.  

“Ne, deputetët serbë, javën e kaluar kemi marrë vendim që të mos marrin pjesë në punimet e Kuvendit dhe të mos votojmë për formimin e ushtrisë së Kosovës. Edhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë bisedës i kemi thënë se nuk dot votojmë për formimin e FAK-ut”, deklaroi Stojanoviq.

Sipas fjalëve të tij, FAK-u është i panevojshëm edhe për shkak se sipas Marrëveshjes së Kumanovës  dhe Rezolutës 12 44 të KS të OKB, është NATO, përkatësisht KFOR-i e vetmja forcë e armatosur e ngarkuar për sigurinë ushtarake në Kosovë.  

“Forcat e Armatosura janë investim i shtrenjtë. Do të ishte shumë më mirë sikur Qeveria paratë e dedikuara për FAK t’i shfrytëzojë për zgjidhjen e problemeve të grumbulluara sociale-ekonomike dhe problemeve tjetra në Kosovë”, vlerëson ky deputet.

Stojanoviq theksoi se çështjen e formimit të FAK-ut nuk duhet ndërlidhur me çështjen e vendeve të rezervuara, si dëshirojnë ta paraqesin disa.

“Deputetët serbë tash e sa kohë bojkotojnë punimet e Parlamentit pikërisht për shkak se nuk kanë marrë përgjigje në kërkesën e tyre lidhur me sigurimin e vendeve të rezervuara në të ardhmen”, tha Stojanoviq.

Sipas tij, ai është i sigurt që kur të gjithë personat e zhvendosur nga Kosova të kthehen në vatrat e tyre, atëherë përfaqësuesit serbë në parlamentin kosovar nuk do të kërkojnë më vende të rezervuara, pasi që edhe pa ato vende të rezervuara do të mund të luftojnë për të drejtat e tyre.