Deputeti i partisë së Gjukanoviqit: Për ne Demarkacioni me Kosovën ka përfunduar

Për ne çështja e Demarkacionit me Kosovën është e përfunduar dhe nuk ka arsye që të kthehemi mbrapa, deklaroi për gazetën “Pobjeda” funksionari i PDS-së, Nikollë Gegaj. PDS-ja është partia e ish kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq.

Lajme

21/09/2017 23:14

Duke komentuar deklaratën e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj se “versioni i tanishëm i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi do të bjerë”, tha se është thellësisht i bindur ”se edhe me qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj do të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që dy qeveritë kanë në vazhdimësi”. Marrëdhëniet me shtetin e Kosovës janë të shkëlqyera dhe kështu do të jenë edhe në të ardhmen.

Gegaj vlerësoi se ajo më së shumti është çështje e brendshme politike e Kosovës e cila nuk do të ndikojë në përkeqësimin e marrëdhënieve të mira në mes dy vendeve. Ky nuk është problemi ynë, as nuk e shohim si një pengesë, sepse ne kemi përfunduar këtë proces, theksoi Gegaj.

Ai shtoi se kufijtë e ish-Jugosllavisë janë gjerësisht të pranuar dhe të konfirmuar edhe nga faktori ndërkombëtar.

Ne kemi nënshkruar marrëveshjen me Kosovën në Vjenë dhe parlamenti ynë ratifikoi atë. SHBA-të dhe përfaqësuesit e BE-së çdo ditë u bëjnë thirrje partive politike të Kosovës që të ratifikojnë marrëveshjen , duke paralajmëruar se shtyrja e ratifikimit është e dëmshme për kredibilitetin e atij vendi në skenën ndërkombëtare.

“Besoj se institucionet e Kosovës kanë kapacitet demokratik që të sjellin vendimet e duhura dhe Mali i Zi në këtë drejtim do të tregojë durimin e duhur.”, tha ndër të tjera Gegaj./Malësia.ME/