Deputeti i AAK’së: Kurrë s’kemi pasur kërkesë zyrtare nga Amerika për heqjen e taksës

Deputeti i AAK-së, Shkumbin Demaliaj, ka përsëritur atë që e thotë edhe kreu i partisë së tij, Ramush Haradinaj, që taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Lajme

22/02/2019 20:07

“AAK-ja në raport me taksën do të ndryshojë në atë moment kur të na njoh Serbia, dhe në momentin që i zhdukuri i fundit gjatë luftës së fundit kthehet në Kosovës. Taksa nuk është një kusht. Nuk hiqet taksa”, është shprehur Demaliaj.

I pyetur rreth letrës së zëvendës ndihmës së sekretarit të Shtetit, Matheë Palmer, ku kërkohej heqja e taksës, Demaliaj ka  ngritur dyshimet se ajo letër vërtetë është dërguar nga SHBA-të.

Ai thotë që fillimisht ajo letër nuk ka qenë e nënshkruar, dhe se asgjë nga Amerika nuk ka ardhur zyrtarisht në adresë të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Sipas tij, ajo letër është publikuar nga një prej televizioneve publike në Kosovë.

“Ajo letër nuk ka qenë e nënshkruar. Unë mendoj se ajo letër ka dalë nga një televizion publik, apo një media në Kosovë”, ka shtuar ai në T7.

Demaliaj thotë që në momentin që do të pranojnë një kërkesë zyrtare nga SHBA-të për heqje të taksës do të ulet koalicioni dhe ta shqyrtojë seriozisht atë kërkesë.

Deputeti i AAK-së ndërkohë ka thënë se nëse PDK-ja nuk dëshiron që të qëndrojë në koalicion me AAK-në  shkaku i taksës, duhet të dalë dhe ta thonë hapur, duke shtuar se shkojnë në zgjedhje pa kurrfarë frike.

“Në momentin që e shohin që nuk mund të jenë partner, atëherë mund të shkojmë zgjedhje. Zgjedhjet janë shumë legjitime. Aleanca asnjëherë nuk iu ka tremb zgjedhjeve. Ata vetëm le të dalin dhe të tregojnë që s’janë pjesë e koalicionit, dhe ka pastaj edhe zgjedhje edhe zgjidhje”, shton ai.

Përveç zgjedhjeve Demaliaj ka thënë se ekziston edhe mundësia për një qeveri gjithëpërfshirëse, por sipas tij një gjë të tillë nuk po e pranojnë opozita, pasi që nuk dëshirojnë që të bashkë qeverisin me PDK’në.