Deputeti gjerman: Nëse ndryshimi i kufirit është pjesë e një pakoje, ia vlen të diskutohet

Kryesuesi i Komisionit për Çështje Evropiane në Bundestagun gjerman, Gunther Krichbaum, është shprehur se përkundër që Gjermania është e rezervuar rreth iniciativës për korrigjimin territorial në mes të Kosovës e Serbisë si zgjidhje për normalizim të marrëdhënieve në mes tyre, megjithatë nëse kjo do të ishte pjesë e një pakoje të përgjithshme, atëherë për këtë duhet të diskutohet.

Lajme

15/11/2018 21:13

Zyrtari gjerman, përndryshe bashkëpunëtor i afërt i kancelares Angela Merkel, ka qëndruar sot në Beograd, ku ka takuar Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Pas këtij takimi ai u është drejtuar mediave dhe ka thënë se “Gjermania, për dallim nga Franca, SHBA-ja, por edhe Komisioni Evropian, është më e rezervuar në këtë pyetje”.

“Ky hap nuk është diçka që e zgjidh tërë problemin. Por kjo iniciativë mund të jetë vetëm një pjesë e një pakoje (më të gjerë)”, është shprehur ai.

Krichbaum ka theksuar se nëse kjo do të sillte zgjidhje, atëherë për këtë duhet diskutuar, por – ka thënë ai – kjo më tepër është kompetencë e Komisionit Evropian.

Krichbaum ka thënë se Gjermania do të shfrytëzojë tërë ndikimin e saj, sepse është e interesuar për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por edhe në tërë rajonin.

Kjo deklaratë e deputetit gjerman është e afërt me deklaratat e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili insiston që marrëveshja të jetë gjithëpërfshirëse dhe çështja e korrigjimit të kufirit të jetë vetëm një prej pikave të kësaj marrëveshjeje që do të përshinte të gjitha çështjet e hapura në mes Kosovës e Serbisë.