Deputetët skeptik për liberalizimin e vizave

Deputetët të pozitës dhe të opozitës janë njëzëri se qytetarët e Kosovës nuk mund të presin asnjë lëvizje sa i përket liberalizimit të vizave në vitin 2015, pasi që, sipas tyre, kjo është shumë diskutabile edhe për vitin 2016.

Lajme

22/03/2015 14:05

Arsyeja, siç kanë thonë ata, është mos përmbushja e kritereve nga institucionet e Kosovës për këtë proces, sidomos në kriterin kryesor, në atë të sundimit të ligjit.

Mos plotësimi i kritereve për liberalizim të vizave po shkakton ngecje në këtë proces. Rezultatet e arritura në këtë drejtim nuk janë të pranueshme as nga vet zyrtarët institucional.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila njëherësh është edhe anëtare e Komisionit parlamentar për integrime evropiane, tha për Radio Kosovën se shumica e kritereve që nuk janë përmbushur kanë të bëjnë me fushën e sundimit të ligjit, konkretisht që i përkasin Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe asaj të Drejtësisë.

“Janë një sërë ligjesh që kanë të bëjnë qoftë me luftimin e krimit dhe korrupsionit, me reformimin e sistemit gjyqësor, qoftë me sigurinë e dokumenteve që këto ministri do të duhet t’i hartonin, por edhe të ndërmarrin pastaj masa specifike për implementimin e atyre ligjeve që miratohen. Pra, ka mjaft kritere që akoma nuk janë plotësuar e që shumica prej tyre lidhen më fushën e sundimit të ligjit”, tha ajo.

Sipas saj shqetësuese është fakti kur vet zyrtarët institucional pranojnë se mungon vullneti institucional për plotësim të kritereve. Kurse, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ilir Deda, njëherësh anëtar i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, thotë se gjithçka varet nga vullneti politik i institucioneve.

“Kriteret teknike të cilat i ka Kosova, më vullnet politik mund të plotësohen, ku ato i shndërrojnë institucionet e Kosovës më funksionale dhe ruajnë dokumentet e qytetarëve. Pra, me plotësim të kritereve ka siguri më të madhe dhe funksionalitet të mirëfilltë të institucioneve”, ka thënë Deda.

Por për shefen e Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj- Bujupi, institucionet e Kosovës kanë një varg dështimesh.

“Fillimisht dështimi me i madh është në sundimin e ligjit, pastaj zhvillimin ekonomik, pastaj papunësinë dhe varfërinë. Evropa nuk i hap dyert para ngecjeve të tilla në proceset të cilat janë jetike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, me këtë ritëm edhe viti 2016 do të jetë diskutabil nëse do të kemi liberalizim të vizave. Ndërkohë zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane tashmë kanë deklaruar se qëllimi i tyre është që deri në fund të vitit të përmbushen obligimet karshi këtij procesi dhe të dërgohet raporti në Komisionin Evropian. (Radio Kosova)