Deputetët s’dëgjojnë fjalimet e njëri-tjetrit, Krasniqi sugjeron mocion për votim të menjëhershëm

Albert Krasniqi nga KDI-ja ka sugjeruar një mocion procedural për ta përfunduar debatin e nisur në Kuvendin e Kosovës lidhur me demarkacionin me Malin e Zi.

Lajme

20/03/2018 18:25

Sipas Krasniqit, deputetët kanë lëshuar sallën dhe nuk po kanë durim të dëgjojnë njëri-tjetrin. Ai thotë se qytetarët kanë edhe më pak durim që t’i dëgjojnë deputetët.

“Në sallën e Kuvendit nuk janë të pranishëm as gjysma e deputetëve. Çka patën për të thënë, e thanë shefat e grupeve parlamentare. Deputetët nuk po kanë durim të dëgjojnë njëri tjetrin, e qytetarët t’i dëgjojnë ata edhe më pak. I dëgjuan për tre vite, nuk thanë asgjë”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Ai thotë se një deputet që ka mbështetjen e të paktën një grupi parlamentar, mund të paraqesë mocion procedural për ta përfunduar debatin dhe të shkohet menjëherë në votim.

“Mocioni shqyrtohet nga shefat e grupeve parlamentare dhe votohet menjëherë. Kështu na kurseni edhe neve edhe veten”, ka shkruar më tej ai.