Deputetët RAE arrijnë t’i ndajnë pozitat

(E plotësuar)Deputetët e komunitetet RAE kanë arritur të gjejnë mirëkuptim për përfaqësimin e tyre nëpër komisionet parlamentare.

Lajme

15/12/2014 10:55

Deputeti nga komuniteti rom Kujtim Paçuku është tërhequr nga Komisioni për Integrime Evropiane, ndërkaq Danush Ademi është tërhequr nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut.

Me këto tërheqje nga këto komisione është arritur që Veton Berisha nga komuniteti egjiptian të mund të përfaqësohet në Komisionin për Kthim dhe Komunitete. 

_____________________________

Kuvendi i Kosovës sot ka filluar seancën e saj parlamentare me të vetmen pikë të rendit të ditës, formimin e Komisioneve Parlamentare.

Por që në fillim të seancës, Komisioni për Kthim dhe Komunitete është bërë problem, pasi që në këtë komision janë propozuar 14 emra, por që ky komision duhet të ketë 12 anëtarë. 

Nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli është kërkuar që komunitet RAE të merren vesh se kush duhet të tërhiqet nga ky komision.

Përfaqësuesi i egjiptianëve Veton Berisha është propozuar në këtë komision por, përfaqësuesi i ashkalinjve Danush Berisha ka thënë se ata nuk ia lëshojnë vendin këtij komuniteti në këtë komision.

“Ne jemi më të shumtë në numër, krahasuar me numrin e popullsisë. Jemi komuniteti me popullsi më të madhe nga komuniteti RAE, andaj ne nuk tërhiqemi”.

E ndërkaq, Veton Berisha ka thënë se nuk është e drejtë, që ai të mos përfaqësohet në asnjë komision dhe disa deputetë të përfaqësohen në dy apo më shumë komisione.

“Jam komunitet i njohur me Kushtetutë dhe i dua të drejtat që më takojnë. Kërkoj që unë që jam në të vetmi komision, të më mundësohet që të jep i përfaqësuar. As unë nuk tërhiqemi”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Adem Grabovci ka bërë të ditur se Blerta Deliu tërhiqet nga ky komision, duke ua lënë në dorë komuniteteve RAE që të merren vesh në mes vete.

Përndryshe, sot do të miratohen 14 komisionet parlamentare, të cilët do të mundësojnë kontrollin e ekzekutivit dhe punën e ligjeve që Kuvendi pret t’i aprovojë.