Deputetët e PE-së thonë se Kosova është shtet i kapur dhe ka elemente korrupsioni

Komisioni për Marrëdhënie me Jashtë i Parlamentit Evropian ka miratuar të mërkurën rezolutën për përparimin e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lajme

11/10/2018 13:24

Në pjesën ku flitet për Kosovën, deputetët e Parlamentit Evropian ngrisin shqetësimet e thella për përhapjen e korrupsionit, ndërhyrjen në gjyqësor si dhe elementet e shtetit të kapur.

“Për ta sjellë Kosovën më afër BE-së, liberalizimi i vizave është jetik. Deputetët e PE-së, mirëpresin konfirmimin e Komisionit Evropian se standardet për vizat janë përmbushur.

Kjo vjen megjithë shqetësimet kritike rreth sistemit të financuar dobët të sistemit gjyqsor, përhapjes së korrupsionit, elementeve të shtetit të kapur, të cilat duhet të adresohen përtej përparimit në përmbushjen e kritereve për vizat” thuhet në rezolutë.

Deputetët e Parlamentit Evropian mirëpresin legjislacionin e miratuar lidhur me agjendën evropiane të reformave, por shprehin shqetësim për mungesën e konsensusit ndërpartiak dhe polarizimin e vazhdueshëm politik në Kosovë, i cili vazhdon të ndikojë negativisht në rrugën e reformës së qëndrueshme.

Rezoluta merr parasysh që pesë shtete anëtare të BE-së nuk e kanë njohur ende Kosovën dhe i fton ata ta bëjnë këtë, pasi kjo do të lehtësonte marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë fqinje.

Teksti u miratua me 42 vota për 10 kundër dhe gjashtë tjera abstenime.

Lidhur me këtë rezolutë, ka reaguar përmes një komunikate për media, Instituti i Kosovës për Politika Evropiane, i cili fton institucionet që urgjentisht të adresojnë gjetjet e kësaj rezolute. /REL/