Deputetët e PDK-së, të parët që regjistrohen për legjislaturën e pestë

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovësu regjistruar sot në Kuvendin e Kosovës si deputetë të legjislaturës së pestë. Ata premtuan angazhim për t’i përfaqësuar qytetarët dhe votuesit që ua kanë dhënë besimin në organin me të lartë ligjvënës, si dhe theksuan se PDK-së i takon mandati për krzeministër dhe kryeparlamntar. 

Lajme

09/07/2014 17:29

Adem Grabovci, i cili ka fituar mandatin e tretë si deputet, tha se do të angazhohet maksimalisht për t’i përfaqësuar dhe për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve dhe të jetë në shërbim të qytetarëve, në mënyrë që besimin që ua kanë dhënë t’ua kthejnë me punë, angazhim dhe në vepra.

Ndërsa, duke iu referuar koalicionit të krijuar pas zgjedhjeve mes LDK-AAK-Nisma, Grabovci tha se Grupi parlamentar i PDK-së është më i madhi sepse kanë fituar mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve, pasi që as ligjet e as Kushtetuta nuk njeh koalicione pas zgjedhore por vetëm parazgjedhore me të cilët hyhet në zgjedhje.

Edhe deputetja Blerta Deliu, e cila ka ftuar mandatin e dytë radhazi, tha se do të jenë zë i qytetarëve të Kosovës dhe gjithë atyre votuesve që ua kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar në Kuvend.

“Mendoj që do të jemi zë i qytetarëve edhe gjatë mandatit të dytë. Do të jetë një përkushtim edhe me i madh sepse e dimë që edhe fushata edhe gara ka qenë e fuqishme dhe ne kemi arritur të marrim votat e qytetarëve dhe do të mundohemi që maksimalisht të jemi zë i qytetarëve të Kosovës. Për mua është nder dhe privilegj, por edhe përgjegjësi dhe besoj që këtë besim do të arrij ta plasojmë në Kuvendin e Kosovës”, tha Deliu.

Ndërsa, duke komentuar çështjen e koalicioneve për ndërtimin e Qeverisë, Deliu tha se matematika e koalicioneve brenda Kuvendit mbetet që të definohet gjatë javëve në vazhdim. Por, sipas saj, e rëndësishme është që kanë dalë subjekti i parë në vend me 37 deputetë.

Kurse, Zenun Paraziti, që po ashtu ka fituar mandatin e dytë, tha për KosovaPress se sot janë regjistruar në formularët e Kuvendit, sipas regjistrimit në KQZ, që patjetër është dashur të shënojnë edhe subjektin prej nga vijnë, si dhe shtoi se PDK-së i takon edhe pozita e kryeparlamentarit.

“Partia Demokratike është fituese e zgjedhjeve dhe i takon rrjedhimisht edhe pozita e kryetarit të Kuvendit, sikurse që i takon edhe me Kushtetutë edhe mandatari për ta nxjerrë qeverinë dhe institucionet tjera përcjellëse”, tha Pajaziti.

Në këtë regjistrim deputetët mbushin formularin me të dhënat e tyre, me çka në seancën konstituive dëshmojnë se ata janë deputetë, e po ashtu edhe për marrjen e kartelës së deputetit, fotografimin dhe të gjitha të dhënat tjera që nevojiten. (KosovaPress)