Deputetët e Parlamentit Evropian kritikojnë deportimin e shtetasve turq nga Kosova

Me nismën e eurodeputetëve Igor Sholtes (i cili është edhe raportues për Kosovën në PE) dhe Rebecca Harms, 28 anëtarë të Parlamentit Europian të të gjitha grupeve u kanë drejtuar një letër autoriteteve të Kosovës lidhur me arrestimin dhe deportimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.

Lajme

16/04/2018 21:01

Në letrën drejtuar presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit Ramush Haradinaj, eurodeputetët kanë shprehur shqetësimin serioz lidhur me deportimin në Turqi të personave që dyshohet se i përkasin lëvizjes së imamit Fethullah Gulen, e cila nga autoritetet e Ankarasë konsiderohet terroriste.

Në këtë letër, eurodeputetët kritikojnë ashpër faktin se leja e qëndrimit e gjashtë qytetarëve turq është anuluar pa ndonjë procedurë ligjore dhe për faktin se ata janë deportuar pa ndonjë gjykim ose kontakt me avokatët e tyre, duke shkelur parimin e sundimit të ligjit. “Ne kritikojmë fuqishëm këto ngjarje të rënda”, thonë ata.

Europdeputetët potencojnë se Kosova si një vend që aspiron integrimet duhet t’i respektojnë standardet europiane.

“Sundimi i ligjit është një parim fundamental i Bashkimit Europian. Ne jemi të shqetësuar se është harruar plotësisht që vendet janë të detyruara moralisht dhe ligjërisht të respektojnë konventat dhe protokollet ndërkombëtare, të cilat janë përcaktuar për të mbrojtur dinjitetin bazik njerëzor dhe janë mbajtur përgjatë shekujve nga qytetërimi ynë”, thuhet në letrën dërguar presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj nga 28 eurodeputetë.

Anëtarët e Parlamentit Europian u bëjnë thirrje autoriteteve të Kosovës të respektojnë plotësisht të gjitha procedurat gjyqësore në përputhje me parimet dhe standardet europiane.

“Të gjitha veprimet e ndërmarra nga autoritetet lokale kosovare duhet të jenë në respekt të plotë të sundimit të ligjit dhe të promovimit të respektit universal dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Procedurat arbitrare në lidhje me arrestimin, ndalimin ose ekstradimin janë në kundërshtim me këto parime”, kanë shkruar ata në letër.

“Ne besojmë në autoritetet e Kosovës se do të mbajnë një qëndrim të fortë mbi të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit dhe se do të përballojnë presionin që Turqia po ushtron në mënyrë sistematike”, përfundon letra e eurodeputetëve. /Kallxo.com