Deputetët e Kosovës, priten me përcjellje shtetërore në Serbi

Ka filluar takimi në mes të deputetëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në Beograd. Ata për herë të parë do të diskutojnë rreth opsioneve që ligjvënësit e të dy parlamenteve do të mund të kontribuonin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Lajme

25/04/2015 13:08

Kjo vjen si takim i dytë i radhës pas atij në Prishtinë.

Deputeti Bardhyl Meta, thotë se vet fakti i mbajtjes së këtij takimi në nivel të barabartë tregon për normalizim të marrëdhënieve midis dy vendeve.

“Jemi pritur si delegacion në nivel të Republikës së Kosovës me përcjellje shtetërore nga kufiri deri në Beograd dhe se kjo tregon pak a shumë një ndryshim drejt qasjes dhe pranimit të realitetit të ri kosovar, që edhe kontribuon në normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë Meta, për televizionin publik.

Dje nga Prishtina për në Beograd kanë udhëtuar 14 deputetë të Kuvendit të Kosovës për të marr pjesë në këtë debat.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë përfaqësues të të gjitha subjekteve politike parlamentare. Ata do të përballen gjithashtu me deputetë nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Serbisë.

Konferenca do të ndahet në dy pjesë – në të parën do të do diskutohet për rolin e kuvendeve të Kosovës dhe Serbisë në zbatimin e marrëveshjes nga të dyja palët. Ndërsa, pjesa e dytë do t’i kushtohet rolit të kuvendit për një kontroll më efikas të qeverisë.

Takimi i deputetëve të dy vendeve në Beograd organizohet nga OJQ amerikane, “Council for Inclusive Governance”, e mbështetur nga Departamenti Zviceran për Politike te Jashtme.