Deputetët e Kosovës më të paguarit në rajon

Deputetët e Kosovës kanë pagat më të larta krahasuar me deputetët e vendeve fqinjë.

Lajme

23/06/2016 07:34

Shteti më i varfër në rajon, paguan më së shumti deputetët e tij. Deri në 2 mijë euro marrin paga mujore deputetët e Kosovës, derisa ata të Serbisë nuk marrin as 1 mijë euro.

Gazeta Zëri ka nxjerrë të dhënat e pagave mujore të shteteve të rajonit dhe del se Kosova në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë, mbetet në top-listë për nga rrogat e deputetëve.

Paga bazë e deputetëve kosovarë është 1488 euro, e kur kësaj i shtohen edhe përfitimet tjera si mëditje për pjesëmarrje në seancë, në mbledhje të komisioneve, si dhe udhëtime jashtë vendit, ajo arrin rreth 2 mijë euro.

Pas deputetëve të Kosovës, të dytët më të paguarit janë ata të Malit të Zi, paga bazë e të cilëve është 1200 euro, pastaj ata të Shqipërisë me 1080, të Maqedonisë me 1 mijë dhe Serbisë me vetëm 860 euro.

Kjo kundërshtohet fortë nga njohësit e ekonomisë dhe politikës, të cilët thonë se është e papranueshme në një vend me varfëri të madhe, paga e deputetit të jetë shumëfish më e madhe sesa ajo mesatare.