Deputetët e dënuar apo të akuzuar për gazin lotsjellës s’do të mund të votojnë për ligjin që amniston këto veprime

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët janë dënuar apo që janë duke u akuzuar për veprat penale që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës, nuk do të mund të votojnë për Ligjin për Amnistinë, kur ai do të shkoj për votim në legjislativin e vendit.

Lajme

19/04/2018 16:55

Projektligji që amniston deputetët që kanë hedhur gaz lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, më 3 prill të këtij viti, ishte votuar në parim në Komisionin për Legjislacion.

Por, në atë mbledhje nuk kishte votuar kryetarja e këtij komisioni, deputetja nga radhët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, duke thënë se nuk ishte e sigurt nëse vota e saj do të përbënte konflikt të interesit, pasi që ajo është e dënuar me kusht nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për hedhjen e gazit lotsjellës.

Pas kësaj mbledhjeje, deputetja Haxhiu, i ishte drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga e cila ka kërkuar të dijë nëse deputetët e akuzuar apo të dënuar për vepra penale që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës mund të votojnë për ligjin që amniston këto vepra.

Deputetja Haxhiu, për “Betimi për Drejtësi”, ka deklaruar se tashmë i është kthyer përgjigja nga AKK-ja, ku sipas së cilës, deputetët e dënuar apo akuzuar, që votojnë për një ligj të tillë, do të kryenin veprën penale të konfliktit të interesit.

“Unë personalisht kam kërkuar nga AKK që të dijë nëse votimi i këtij projektligji nga ana e deputetëve të akuzuar apo të dënuar paraqet veprën penale të konfliktit të interesit. Përkitazi me pyetjen time, AKK ka dhënë një opinion ku ka sqaruar se votimi i këtij projektligji nga deputetët të cilët kanë interes, paraqet veprën penale të konfliktit të interesit. Në këtë mënyrë, unë nuk do të votoj për këtë ligj”, ka deklaruar Albulena Haxhiu.

Komisioni për Legjislacion i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e 3 prillit, e ka miratuar në parim Projektligjin për Amnistinë.

Ky ligj parasheh amnisti për veprat penale të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend e Kosovës, për periudhën prej 25 gusht 2016 deri më 10 maj 2017.

Ndryshe, më 3 janar të këtij viti, Gjykata Themelore në Prishtinë, për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Republikës së Kosovës, i kishte dënuar me burgim me kusht deputetët Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Po ashtu, për hedhje të gazit lotsjellës, janë duke u zhvilluar procedura gjyqësore edhe ndaj deputetëve, Fisnik Ismajli, Haxhi Shala, Ismajl Kurteshi, Glauk Konjucfa, Pal Lekaj, Shqipe Pantina, Time Kadrijaj, Aida Dërguti, Teuta Haxhiu, si dhe kryetari i Komunës së Suharekës, ish-deputeti, Bali Muharremaj.