Deportimi i shtetasve turq, Komisioni pret vendimin e Kuvendit që ta fillojë punën

Komisioni hetimor për deportimin e gjashtë shtetasve turq po pret “vulën” e Kuvendit në mënyrë që ta fillojë punën.

Lajme

12/05/2018 14:15

Edhe pse më 4 prill në Kuvend ishte miratuar rezoluta ku kërkohej formimi i Komisionit hetimor, ky komision ende nuk është miratuar nga Kuvendi, shkruan lajmi.net.

Sipas rezolutës partitë do të duhej që brenda tri ditësh të dërgonin emrat e deputetëve në këtë Komision.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre muaj puna e këtij komisioni ende është e pamundur.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj ka thënë se pa u votuar në Kuvend, Komisioni nuk mund të formohet.

Nitaj ka theksuar se ky komision duhet t’i marrë votat e deputetëve, për t’i hapur rrugën fillimit të punës.

“Komisioni ende nuk është votuar në Kuvend, kështu që tash për tash konsiderohet i paformuar akoma. Duhet që të votohet në Kuvend së pari, e mandej ta fillojë punën”, ka thënë Nitaj për lajmi.net.

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova kishte shkaktuar polemika të shumta.

Një seancë e jashtëzakonshme ishte thirrur nga partitë opozitare, ku më pas u vendos për krijimin e këtij komisioni hetimor.

“Gylenistët” u deportuan për në Turqi me kërkesën e institucioneve turke. /Lajmi.net/