Dënojmë hajna, zhvillojmë shtet

Vetëvendosje në Vushtrri premtoi përkujdesje ndaj bujqve lokalë dhe luftë kundër “hajnave dhe kriminelëve”.

Lajme

25/10/2013 16:35

Prodhues bujqësorë në rajonin e Vushtrrisë janë të detyruar t’i hedhin prodhimet e tyre si pasojë e tregut vendor të pa mbrojtur nga importet.

Kështu tha Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti gjatë një tubimi elektoral të mbajtur në qytetin e Vushtrrisë, të premten.

Kurti vlerësoi punën e bujqve të këtij rajoni duke thënë se Vushtrria njihet si prodhuesi më i madh i patates në Kosovë, por shprehu keqardhje për pamundësinë që me produktet e tyre të jenë të barabartë në tregun vendor.

“Si pasojë e importit të madh dhe tregut të pambrojtur, vitin e kaluar Lumi “Sitnica” në Vushtrri u mbush me tonelata patatesh të hedhura nga prodhuesit e braktisur nga mbrojtja e institucioneve të vendit”.

“Me Lëvizjen VETËVENDOSJE! në Qeverisje, ne do ta mbështesim prodhimin bujqësor e industrial, dhe do ta sigurojmë tregun për prodhimet vendore”, tha Kurti.

Kurti foli edhe për njërën nga fabrikat e vetme në këtë qytet e cila funksionon edhe pas procesit të privatizimit. Ai tha se për ta vënë në funksion të plotë këtë fabrikë, do të mundësojë një lidhje me Universitetin e Prishtinës ku do të importohen kuadro të reja për menaxhim të ndërmarrjes.

“Ne do ta lidhim ekonominë me universitetin. Pra, do t’i lidhim fabrikat ku prodhohen mallrat, me universitetin ku prodhohet dija”.

“Një nga parullat më të forta të Vetëvendosje’s është “Me hajna nuk ka shtet”. Prandaj Vetëvendosje do t’i dënojë hajnat, për ta zhvilluar shtetin. Me fitoren tonë do të ketë fitore të shtetit të së drejtës dhe pushteti do t’i frikësohet qytetarëve e jo qytetarët pushtetit, kriminelët do t’i frikësohen policisë e jo policia kriminelëve”, ka thënë Kurti.

Ndërsa kandidati i Vetëvendosje’s për Kryetar të Komunës së Vushtrrisë, Xhemajl Pllana tha se pikat kryesore të programit të tij janë zhvillimi i sektorit të bujqësisë, arsimi cilësor dhe i departizuar, shërbime shëndetësore për të gjithë dhe furnizim i mjaftueshëm me ujë të pijshëm.

“Varfëria e ka bërë të pamundshëm dinjitetin e pensionistit, dhe e ka rrezikuar të ardhmen e fëmijës. Gjithnjë e më tepër po bëhemi dëshmitarë të punës së fëmijëve, të cilët po i braktisin shkollat për shkak të varfërisë ekstreme”.

“Papunësia dhe varfëria nuk janë këtu prej fatit, por prej punës së keqe dhe korrupsionit që kanë sjellë krejt qeverisjet e mëparshme, e ku kanë marrë pjesë krejt partitë e tjera politike”, tha Pllana.