Dënohet sulmi në veri, përpjekje për të penguar sundimin e ligjit

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dënuar ashpër sulmin ndaj pjesëtarëve në detyrë të Policisë së Kosovës. Jahjaga ka thënë ky akt është një përpjekje për të penguar funksionimin e rendit demokratik dhe të sundimit të ligjit në Kosovë.

Lajme

01/04/2014 06:53

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka dënuar   ashpër sulmin nga prita, në Zubin Potok, ndaj policëve në detyrë të Policisë së Kosovës. Ky akt nga Presidentja është cilësuar si një përpjekje për të penguar funksionimin e rendit demokratik dhe të sundimit të ligjit në Kosovë.

“Institucionet e Republikës së Kosovës nuk do të lejojnë pengimin e vendosjes së rendit në tërë territorin e vendit dhe nuk do të pranojnë rrezikimin e funksionimit demokratik të shoqërisë sonë”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga zyra e Presidentes  Jahjaga.

“Policia e Kosovës është institucioni që ka ndërtuar besimin në mesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim dhe ajo garanton sigurinë për të gjithë”.

Presidentja Jahjaga bën thirrje që autorët e sulmit mbi policinë të kapen dhe të sillen përpara drejtësisë.