Dënohet polici që grushtoi prizrenasin

Gjykata e Prizrenit ka shpallur aktgjykimin në rastin e zyrtarit policor, i akuzuar se e keqtrajtoi një qytetar që kishte shkuar të denonconte vjedhjen.

Lajme

21/01/2019 18:48

Zyrtari policor me iniciale H.H., nga Mushtishti i Suharekës, është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 500 euro.

Ai akuzohej se në mars të vitit 2017 kishte kryer veprën penale – keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore Prizren, Afërdita Kicaj, ka njoftuar se sot është shpallur vendimi nga gjyqtari i rastit, në kuadër të Departamentit të Përgjithshëm.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, rasti ka ndodhur në mars të vitit 2017, në stacionin policor ALFA në Prizren, në ora 03:15 të mëngjesit, raporton kallxo.com.

Zyrtari policor sipas aktakuzës ishte duke e kryer detyrën zyrtare si polic statik dhe përderisa i dëmtuari me iniciale K.H. kishte shkuar në këtë Stacion Policor për të dhënë një deklaratë lidhur me rastin e vjedhjes që i kishte ndodhur në lokalin “Gama”, ku ai punon si menaxher.

Por derisa i dëmtuari shkoi për të denoncuar një vjedhje, i njëjti e pësoi vetë, raporton www.kallxo.com.

Sipas aktakuzës, sapo i dëmtuari ka hyrë në oborrin e Stacionit për ta parkuar veturën, afrohet i pandehuri dhe i thotë se nuk lejohet parkimi i veturave civile dhe se duhet që ta largosh nga këtu.

Më pas i dëmtuari automjetin e tij e parkon jashtë oborrit të Stacionit në afërsi të portave hyrëse ku kishte edhe vetura tjera civile, mirëpo i pandehuri në cilësinë e zyrtarit policor del me nxitim duke i kërkuar që ta largojë automjetin edhe nga aty. Mirëpo derisa i dëmtuari ishte duke i thënë se ku ta dërgoj veturën, i pandehuri e nxjerr jashtë duke e përdor forcën si dhe gjatë shoqërimit për në stacion e godet dy-tri herë me grushte në fytyrë duke i shkaktuar frikë dhe lëndime të lehta trupore.