Dënohet me gjashtë muaj burg mjeku i akuzuar për 30 euro ryshfet

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me gjashtë muaj burgim, mjekun e Spitalit Regjional në Gjilan, Elez Elezi, i akuzuar për marrje të ryshfetit.

Lajme

06/02/2019 11:47

Sipas aktgjykimit të shpallur të mërkurën, atij do t’i llogaritet edhe koha e qëndrimit në arrest shtëpiak nga 22 maji 2012 deri më 7 qershor 2012, e që do fillojë ta vuaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

“Gjykata Themelore në Gjilan ka shpallë Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit E. E. në kohëzgjatje prej gjashtë (6) muaj burgim dhe dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej një (1) viti, nga dita kur aktgjykimi të marr formën e prerë. I akuzuari E. E., me datë 22.05.2012 në cilësinë e mjekut në Spitalin Regjional në Gjilan ka kërkuar dhe pranuar të holla në shumën prej 30 euro nga e dëmtuara L. H. për lëshimin e tre raporteve specialistike. Me këto veprime i akuzuari E. E. ka kryer veprën penale marrje ryshfeti, neni 343 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës (KPK)”, ka bërë të ditur gjykata.

I akuzuari është gjykuar për këtë vepër edhe vite më parë, mirëpo Gjykata e Apelit ka rikthyer lëndën në rigjykim.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit. /Lajmi.net/