Dënohet me burgim me kusht njëri ish-zyrtar i MTI-së, tjetri lirohet nga akuza

Ish-udhëheqësi i politikave të promocionit turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Halil Bajrami, është dënuar me 1 vit burgim me kusht, pasi është shpallur fajtor për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Lajme

14/05/2018 10:13

Sipas aktgjykimit të shpallur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda 1 viti.

Ndërsa, i akuzuari tjetër në këtë rast, ish-menaxheri i Zyrës së Prokurimit në MTI, Burim Zekaj, është liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

“E kemi analizuar me shumë kujdes çështjen e Halil Bajrami, nuk ka qenë kontestuese që ai s’ka qenë menaxher me vendim të shkruar, por në vazhdimësi ka bërë nënshkrimin dhe për të kompletuar përgjegjësinë penale është nënshkrimi i fundit i urdhërpagesës 90.000 euro. Me këtë nënshkrim e ka legjitimuar pagesën prej 90.000 euro”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Beqir Kalludra, me rastin e shpalljes së aktgjykimit.

Më 8 maj, ishte dhënë fjala përfundimtare në këtë rast, ku Prokuroria Themelore në Prishtinë, kishte kërkuar dënimin e dy ish-zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Halili Bajrami dhe Burim Zekaj.

Ky gjykim është zhvilluar lidhur me projektin “Navigatori i Qytetit”.

Prokurori Feti Tunuzliu, gjatë asaj seance kishte deklaruar se konsideron se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor e kanë vërtetuar gjendjen faktike si në dispozitiv.

Kurse, avokatët mbrojtës të të akuzuarve kishin kërkuar lirimin e tyre nga akuza.

Sipas aktakuzës, Halil Bajrami, në cilësinë e udhëheqësit të politikave dhe promocion turistik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), nuk e ka përmbushur detyrën zyrtare si bartës i projektit “Navigatori i qytetit”. Prokuroria pretendon se ai ia kishte mundësuar Kompanisë “Ataq Consulting” nga Gjilani pagesën e tërësishme në shumë prej 113.013.00 euro, pagesë kjo nga kontrata “Furnizimi, instalimi dhe mirëmbajtja e pajisjeve për navigator të qytetit”, e datës 1 tetor 2008.

Gjithmonë sipas aktakuzës, edhe pse kjo kompani kishte përmbushur vetëm pjesërisht obligimin për furnizimin e MTI-së, me pajisjet e parapara në kontratë, vlera e të cilëve ishte në shumë prej 94.410.00 eurove, e njëjta ka pranuar paraprakisht paradhënien në shumë prej 22.602.60 euro, shumë kjo në dëm të MTI-së.

I pandehuri Burim Zekaj, sipas prokurorisë, në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MTI, duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare, më 19 dhjetor 2008 ka lëshuar urdhër për pagesa me vlerë prej 90.410.00 euro për kompaninë “Ataq Consulting” në Gjilan./betimiperdrejtesi.com